Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve (DHS), Tricia McLaughlin, një nga figurat më të dukshme të linjës së ashpër kundër emigracionit të Shtëpisë së Bardhë, pritet të largohet nga posti i saj këtë javë.
McLaughlin ka promovuar dhe mbrojtur fuqishëm nismat e Presidentit Donald Trump për deportimet, si në mediat sociale ashtu edhe në intervista dhe podkaste. Ajo kishte planifikuar të largohej që në dhjetor, por vendosi të qëndronte në detyrë pasi dy qytetarë amerikanë u qëlluan për vdekje gjatë përballjeve me oficerët e emigracionit në Minesota muajin e kaluar, sipas burimeve për CBS.
Sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, konfirmoi largimin duke vlerësuar punën e saj. “Ajo ka shërbyer me përkushtim, këmbëngulje dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e misionit tonë për të siguruar atdheun dhe për të mbajtur amerikanët të sigurt,” deklaroi Noem, duke shtuar se departamenti është mirënjohës për kontributin e saj dhe i uron suksese në të ardhmen.
Gjatë kohës në DHS, McLaughlin u bë shpesh fytyra publike e dy agjencive kryesore nën varësinë e departamentit – Zbatimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Mbrojtja Doganore dhe Kufitare – duke mbrojtur politikat e administratës në një debat kombëtar gjithnjë e më të polarizuar.
Reagimet pas njoftimit të largimit ishin të ndara. Komentues republikanë e vlerësuan si një nga mbrojtëset më të forta të politikave të Trump, ndërsa demokratët e kritikuan për qëndrimet e saj. Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Demokrat, Kendall Witmer, deklaroi se ajo kishte “mbrojtur edhe taktikat më të dhunshme” të përdorura në goditjen kundër emigracionit.
Largimi i saj vjen në një moment tensioni për departamentin. Republikanët dhe demokratët janë në ngërç për buxhetin e DHS-së, pasi demokratët kërkojnë ndryshime në mënyrën e funksionimit të ICE-së, ndërsa financimi i departamentit u ndërpre të shtunën. Një marrëveshje e re nuk pritet të arrihet para fundit të muajit, në rastin më optimist.
Ndërkohë, një sondazh i fundit i Reuters/Ipsos tregon një rritje të pakënaqësisë publike ndaj mënyrës se si Trump po menaxhon emigracionin. Sipas sondazhit të zhvilluar nga 13 deri më 16 shkurt, 55% e amerikanëve nuk i miratojnë politikat e tij për këtë çështje, nga 44% një vit më parë.
Hapi i radhës i McLaughlin mbetet i paqartë, por CBS raporton se ajo do të zëvendësohet nga Katie Zacharia, një komentatore e njohur për daljet e saj në Fox News.
McLaughlin nuk është një emër i ri në politikën republikane. Ajo shërbeu në administratën e parë Trump në Departamentin e Thesarit dhe më pas u bë zëdhënëse e fushatës së Vivek Ramaswamy gjatë garës për kandidaturën republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
(Burimi: BBC)






