Kryeministri Edi Rama reagoi sot në rrjetin social X ndaj kritikave për udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës dhe më pas Vlorës, në një kohë kur aksi Librazhd–Pogradec vijon të jetë i bllokuar pas rrëshqitjeve masive të dherave. Në statusin e tij, Rama ironizoi atë që e quajti “tenxhere politike e mediatike”, duke sqaruar se po shoqëronte një grup investitorësh ndërkombëtarë të arsimit të lartë për t’u prezantuar projektet e “Polit të Dijes” në Korçë dhe kompleksin e ri në Vlorë.
Sipas tij, investitorët kanë përdorur helikopterin e tyre nga Rinasi drejt Korçës e më pas Vlorës, ndërsa delegacioni shqiptar ka udhëtuar me helikopter të Forcave të Armatosura, i cili – siç thekson Rama – kryen çdo muaj orët e detyrueshme të fluturimit. Kryeministri mohoi çdo lidhje të qeverisë me situatën në aksin e bllokuar, duke e cilësuar rrëshqitjen si fenomen natyror gjeologjik pa përgjegjësi teknike apo profesionale nga projektuesit dhe autoritetet. Ai krahasoi situatën me një rrëshqitje masive në Itali, duke akuzuar opozitën dhe mediat për “histeri” dhe keqdashje.
Por ndërkohë që kryeministri minimizon situatën, zhvillimet në terren kanë marrë një kthesë tjetër. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot se bypass-i provizor i hapur në zonën e Arrat e Gurrës, në Dragostunjë, është shembur dhe është bërë i pakalueshëm. Segmenti që pritej të vihej në funksion në mesditë ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje të re, duke detyruar autoritetet të ndalojnë plotësisht qarkullimin për mjetet dhe këmbësorët. Mjetet e firmës zbatuese janë tërhequr për arsye sigurie, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni konsiderohet i paqëndrueshëm.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga dëmtimi i shtyllave elektrike si pasojë e rrëshqitjes. Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi se do të kryhet demontimi i një shtylle të linjës 110 kV në Librazhd, çka ka sjellë stakimin e linjave për disa orë. Nëntë zona – Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe dhe HEC-i Xhyrë – kanë mbetur pa energji elektrike gjatë intervalit të punimeve.
Ndërkohë që kryeministri flet për “investitorë” dhe për “tenxhere mediatike”, në Dragostunjë rruga është e mbyllur, bypass-i është shembur, 9 fshatra janë pa energji dhe qytetarët nuk dinë kur do të kalojnë sërish normalisht. Kamionët presin, bizneset anulojnë furnizime, familjet bëjnë llogaritë me orë e me ditë.
Fjalët në rrjet mund të vazhdojnë, por realiteti në terren është i thjeshtë: aksi është i bllokuar dhe zgjidhja ende nuk po qëndron në këmbë. Ajo që kërkohet tani nuk është ironi, por një afat i qartë, një plan i sigurt dhe përgjegjësi konkrete. Sepse për banorët e zonës, ky nuk është debat politik – është rruga e përditshme që u mungon.
Postimi i plotё i Kryeministrit nё X:
Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!
Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!
Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!
Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:
E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfillur rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!
E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.
Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten.
*për qartësi, bashkëlidhur është rrëshqitja aktuale në Itali, se gati janë ta transferojnë në Shqipëri






