Policia e Londrës ka arrestuar ish-ambasadorin britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, në kuadër të hetimeve për lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Mandelson, 72 vjeç, u ndalua me dyshimin për “shpërdorim të detyrës publike”, një vepër penale e rrallë dhe e vështirë për t’u provuar në Britani. Arrestimi vjen vetëm disa ditë pasi u raportua edhe ndalimi i princit Andrew në një çështje të ngjashme.
Sipas mediave britanike, ish-ministri i fuqishëm i qeverive të Tony Blair dhe Gordon Brown u shoqërua nga banesa e tij në Camden, në veri të Londrës, nga oficerë civilë të policisë metropolitane, për t’u dërguar më pas në një komisariat për marrje në pyetje. Më herët, më 6 shkurt, policia kishte kontrolluar dy banesat e tij në Londër dhe Wiltshire.
Hetimi lidhet me dokumente të reja të publikuara muajin e kaluar nga autoritetet amerikane, pjesë e një pakete prej rreth tre milionë emailesh dhe materialesh të lidhura me Epstein. Sipas raportimeve, disa prej mesazheve sugjerojnë se Mandelson mund të ketë ndarë informacione konfidenciale gjatë kohës kur ishte Sekretar për Biznesin (2008–2010), përfshirë referenca për paketat e shpëtimit në Eurozonë dhe diskutime mbi bonuset bankare. Dokumentet përmendin gjithashtu transferta financiare drejt tij dhe bashkëshortit të tij.
Zyra e Kryeministrit britanik, Keir Starmer, është vënë nën presion politik, pasi ishte ai që e emëroi Mandelson si ambasador në Uashington, pavarësisht polemikave të mëparshme mbi lidhjet e tij me Epstein. Opozita konservatore e ka cilësuar arrestimin si një moment kyç për qeverinë.
Policia metropolitane nuk e identifikoi zyrtarisht të arrestuarin, duke iu referuar “një burri 72-vjeçar”, por konfirmoi se ndalimi lidhet me hetime për shpërdorim të detyrës publike dhe se pasojnë kontrolle të mëparshme në dy adresa.
Sipas ligjit britanik, “shpërdorimi i detyrës publike” nënkupton abuzim të qëllimshëm ose neglizhencë serioze në ushtrimin e një funksioni publik, në një nivel që cenon besimin e publikut. Edhe pse mbart dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm, ekspertët ligjorë theksojnë se është një vepër e ndërlikuar për t’u ҫuar akuza në gjykatë dhe kërkon prova të qarta për abuzim të vetëdijshëm me detyrën.
Hetimet po koordinohen nga disa forca policore në Mbretërinë e Bashkuar, në bashkëpunim me agjenci kombëtare dhe me autoritetet amerikane, për të siguruar akses në materialet origjinale të pa-redaktuara.
Mandelson ka mohuar më herët çdo shkelje. Arrestimi i tij nuk nënkupton ngritje të menjëhershme akuzash, por i jep policisë mundësinë ta marrë në pyetje nën paralajmërim dhe të vlerësojë provat e mbledhura deri tani.


(Burimi: The Sun)






