Antonio Tejero, oficeri spanjoll që udhëhoqi përpjekjen e dështuar për grusht shteti më 23 shkurt 1981, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare – pikërisht në ditën kur qeveria spanjolle deklasifikoi dokumentet zyrtare që hedhin dritë mbi një nga momentet më të errëta të demokracisë post-Franko.
Tejero hyri në histori si njeriu që, i veshur me kapelen karakteristike të “Guardia Civil” dhe me pistoletë në dorë, drejtoi ndjekësit e tij të armatosur drejt parlamentit spanjoll gjatë një seance plenare. Imazhet e tij duke kërcënuar deputetët mbeten ndër më të fortat në kujtesën kolektive të Spanjës moderne.

Ai ishte pjesë e një rrjeti oficerësh të djathtë të policisë dhe ushtrisë që tentuan të përmbysnin rendin kushtetues. Grushti i shtetit u shua pasi Mbreti Juan Carlos refuzoi ta mbështeste dhe doli në një fjalim televiziv duke u bërë thirrje gjeneralëve të respektonin rendin demokratik. Fjalimi i mbretit u konsiderua vendimtar për shpëtimin e demokracisë së sapokrijuar.
Tejero, i cili kishte qenë i përfshirë edhe në një tentativë tjetër për grusht shteti në vitin 1978, u dënua me 30 vite burg për rolin e tij në ngjarjet e 1981-shit, por u lirua pasi vuajti gjysmën e dënimit.
Familja e tij njoftoi vdekjen të mërkurën, vetëm disa orë pasi qeveria publikoi 153 dokumente të deklasifikuara mbi komplotin. Në deklaratë thuhej se ai ia kishte kushtuar jetën “Zotit, Spanjës dhe familjes së tij”. Avokati i tij, Luís Felipe Utrera Molina, e përshkroi si “një njeri nderi, me besim të palëkundur dhe me një dashuri të madhe për Spanjën”.
Megjithatë, Tejero mbeti i papenduar deri në fund. “Më kushtoi karrierën dhe lirinë time, por nuk pendohem që e provova”, deklaroi ai në një intervistë pesë vite më parë.

Ai u shfaq sërish në publik në vitin 2019, duke protestuar kundër vendimit të qeverisë për zhvarrosjen e eshtrave të diktatorit Francisco Franco nga Lugina e të Rënëve. Me kërkesë të familjes Franco, një nga djemtë e tij, prifti Ramón Tejero, mbajti meshën në ceremoninë e rivarrimit.
Ndërkohë, qeveria e udhëhequr nga socialistët publikoi dhjetëra dokumente për të ndriçuar rrethanat e grushtit të shtetit. Kryeministri Pedro Sánchez shkroi në X: “E vërteta, kujtesa dhe demokracia. Sepse të kujtosh të kaluarën është mënyra më e mirë për të ecur përpara me progres, harmoni dhe liri.”
Mes dokumenteve të deklasifikuara gjendet një raport i ministrisë së mbrojtjes që zbulon se disa anëtarë të shërbimit të inteligjencës kishin dijeni ose ishin përfshirë në komplot. Sipas raportit, “gjashtë persona ose i dinin faktet para 23 shkurtit, ose hartuan mbështetje operative dhe më pas u përpoqën të mbulonin përfshirjen e tyre”.
Një tjetër dokument zbulon se një nga komplotistët ishte shprehur se grushti i shtetit dështoi sepse e kishin “lënë Juan Carlosin të lirë” dhe e kishin “trajtuar si zotëri”, ndërkohë që sipas tij ai ishte “një objektiv që duhej hequr”.
Ndër vite kanë ekzistuar pikëpyetje mbi rolin real të mbretit dhe mbi mbështetësit e vërtetë të komplotit. Një dosje e ministrisë së brendshme e publikuar tani pohon se disa nga të përfshirët u përpoqën më pas të “zvogëlonin përgjegjësinë e tyre penale” duke implikuar vetë mbretin në plan, përmes shtrembërimit dhe shpikjes së fakteve.
Vdekja e Tejeros në të njëjtën ditë me publikimin e dokumenteve i jep një simbolikë të fortë këtij kapitulli të historisë spanjolle: një figurë e errët e së shkuarës mbyll sytë, ndërsa arkivat hapen për të hedhur më shumë dritë mbi të vërtetën.
(Burimi: The Guardian)





