Personat mbi 80 dhe 90 vjeç që ruajnë një kujtesë të mprehtё – të njohur si “SuperAgers” – prodhojnë dy herë më shumë neurone të reja sesa bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm dhe rreth 2.5 herë më shumë sesa personat me Alzheimer. Ky është përfundimi i një studimi të ri, i cili sugjeron se truri i plakur ka ende aftësinë për t’u rigjeneruar.
Sipas autores së studimit, Dr. Tamar Gefen nga Northwestern University, neuronet e reja janë më plastike dhe më të adaptueshme – ato kanë aftësi më të lartë për t’u integruar dhe për të krijuar lidhje të reja në tru.
Studimi zbuloi gjithashtu se truri i këtyre personave ka një “ekosistem” më të pasur në hipokampus – zona përgjegjëse për kujtesën – i cili ushqen dhe mbështet lindjen e neuroneve të reja (neurogjenesën). Kjo aftësi për të krijuar dhe mbijetuar neurone të reja rrit plasticitetin e trurit, duke e ndihmuar atë të përballojë dëmtimet dhe efektet e moshës.
Madje, sipas autorëve, disa “SuperAgers” kishin më shumë neurone të reja sesa të rritur në moshë 30–40 vjeç. “Profili i tyre tregon rezistencë ndaj kalimit të kohës,” thekson profesorja Orly Lazarov nga Universiteti i Illinois.
Çfarë është një “SuperAger”?
Për t’u konsideruar i tillë, një person duhet të jetë mbi 80 vjeç dhe të kalojë teste të rrepta tё aftёsisё njohëse, duke treguar kujtesë episodike të jashtëzakonshme – aftësinë për të kujtuar ngjarje dhe përvoja personale me detaje. Interesant është fakti se inteligjenca (IQ) e tyre është e ngjashme me bashkëmoshatarët, çka do të thotë se diferenca nuk qëndron tek “zgjuarsia”, por tek struktura dhe funksionimi i trurit.
Shumë “SuperAgers” ndajnë disa tipare: qëndrim pozitiv, aktivitet fizik, stimulim të vazhdueshëm mendor (lexim, mësim), jetë sociale aktive dhe angazhim në komunitet. Megjithatë, jo të gjithë ndjekin stil jetese perfekt – disa kanë diabet apo sëmundje zemre – çka tregon se faktorët biologjikë luajnë rol kyç.
Çfarë e bën trurin e tyre të ndryshëm?
Analizat e indeve të trurit treguan se korteksi cingulat, zona e vëmendjes dhe motivimit, është më i trashë tek SuperAgers sesa tek personat në të 50-at dhe 60-at. Hipokampusi i tyre ka tre herë më pak grumbullime proteine tau – një nga shenjat kryesore të Alzheimerit. Dhe gjithashtu, neuronet në korteksin entorhinal janë më të mëdha dhe më të forta strukturalisht – madje më të zhvilluara se tek persona shumë më të rinj.
Studimi i ri, i publikuar në revistën Nature, përdori një teknikë të avancuar për të analizuar qelizat e trurit nga pesë grupe të ndryshme: “SuperAgers”, të rinj të shëndetshëm, të moshuar pa rënie tё aftёsisё njohëse, persona me demencë të hershme dhe pacientë me Alzheimer.
Rezultatet treguan se dy lloje qelizash janë thelbësore për ruajtjen e kujtesës: neuronet CA1, të rëndësishme për konsolidimin dhe rikthimin e kujtimeve; dhe astrocitet, qeliza mbështetëse që rregullojnë qarkullimin e gjakut dhe nxisin formimin e sinapseve – bazën e mësimit dhe kujtesës.
Tek “SuperAgers”, këto qeliza bashkëpunojnë në një mjedis shumë të pasur biologjik, duke forcuar lidhjet midis neuroneve dhe duke ruajtur funksionin njohës.
A mund ta arrijmë edhe ne këtë?
Ekspertët theksojnë se, ndonëse mund të ekzistojë një avantazh gjenetik, studimet tregojnë se zgjedhjet e stilit të jetesës ndikojnë realisht në shëndetin e trurit. Ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit, gjumi cilësor dhe kontrolli i faktorëve vaskularë mund të rrisin madhësinë e hipokampusit dhe të reduktojnë shenjat e Alzheimerit.
“Dikur na mësonin se qelizat e trurit nuk rigjenerohen. Tani kemi prova të forta se ato mund të rriten, nëse bëjmë zgjedhje të mira për trurin,” thekson Dr. Richard Isaacson, specialist i parandalimit të Alzheimerit.
Zbulimi i ri nuk është vetëm një lajm shkencor – është një mesazh shprese: truri nuk është i dënuar të dobësohet me kalimin e viteve. Në disa raste, ai mund të mbetet i mprehtë dhe i qëndrueshëm edhe në dekadën e nëntë të jetës.
(Burimi: CNN)






