Në mesin e dhjetëra vendimeve të miratuara sot në mbledhjen e qeverisë, një akt kaloi pothuajse pa zhurmë: transferimi te Korporata e Investimeve Shqiptare i një sërë pronash shtetërore, aktualisht në administrim të disa institucioneve publike, për realizimin e projektit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”, me nënprojektet “Korpusi i institucioneve të pavarura”, “Qendra për Zhvillimin Multifunksional Tiranë” dhe “Copëzat”.
Tashmё jemi mёsuar me vendimet qё i japin Korporatës tё drejtёn të zhvillojë prona publike, të hapë procedura konkurruese, të përzgjedhë partnerë privatë dhe të negociojë kontrata për zhvillimin e tyre. Por sa herë që në një vendim përmenden “zhvillim”, “sipërmarrje”, “partner privat” dhe “transferim pronash shtetërore”, përvoja e deritanishme sugjeron se përkthimi praktik shpesh ka qenë i njëjtë: lirimi i godinave publike në zona kyçe dhe transformimi i tyre në projekte me vlerë të lartë ndërtimore.
Vendimi i sotëm autorizon Korporatën e Investimeve Shqiptare të marrë në pronësi apo në zhvillim prona shtetërore, të procedojë me prishjen e objekteve ekzistuese – pasi të jetë siguruar transferimi i përkohshëm i institucioneve – dhe të hapë gara për përzgjedhjen e partnerëve privatë për dy prej nënprojekteve: “Korpusi i institucioneve të pavarura” dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional Tiranë”.
Në faqen zyrtare të Korporatës mungon çdo informacion i detajuar për këto tre nënprojekte. Nuk ka vizione urbane të shpallura, nuk ka plane konkrete të publikuara, nuk ka transparencë mbi përmasat apo ndikimin e tyre. Në faqen e Kryeministrisë është publikuar vetëm vendimi i zbardhur, pa shtojcat që përmbajnë listën e pronave konkrete që transferohen. Pra, opinioni publik nuk e di ende saktësisht cilat godina po kalojnë në duart e Korporatës.
Megjithatë, një lexim i pikës 10 të vendimit tё jep një ide mёtë qartë: për zbatimin ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, INSTAT, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioni i Prokurimit Publik, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Praktikisht, kjo do të thotë se një pjesë e institucioneve të pavarura – disa prej tyre të vendosura sot në zona qendrore të Tiranës, do të duhet të lirojnë ambientet aktuale për t’u zhvendosur diku tjetër. Se ku do të zhvendosen, sa larg qendrës, me çfarë standardi, me çfarë aksesueshmërie për qytetarët, për momentin, nuk ka asnjё sqarim.
Argumenti zyrtar flet për konsolidim institucional, për “korpus” të përbashkët, për efiҫiencë dhe përmbushje të interesit publik.
Por ndërkohë, a po konsolidohen institucionet për t’u bërë më funksionale, apo po lirohen hapësira me vlerë marramendëse në zemër të kryeqytetit për t’u “rijetëzuar”?
Sepse zhvendosja e institucioneve si Avokati i Popullit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, apo Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil nga qendra në periferi – qoftë në Paskuqan, Babrru apo diku tjetër – nuk është thjesht çështje logjistike. Është çështje aksesueshmërie. Janë institucione ku qytetarët ankohen, kërkojnë drejtësi administrative, përballen me shtetin. Sa më larg qendrës, aq më pak të dukshme, aq më pak të arritshme, aq më pak të frekuentuara.
Ndërkohë, Korporata autorizohet të hapë procedura konkurruese, të negociojë me subjekte private dhe të përdorë forma të ndryshme shfrytëzimi të pronës shtetërore – përfshirë qira, enfiteozë, leasing, shitje apo përdorim si kolateral – sipas kuadrit ekzistues ligjor. E njëjta formulë që kemi parë edhe më parë në projekte të tjera urbane.
Nuk është hera e parë që prona shtetërore transferohet për “zhvillim”. Nuk është as hera e parë që në vend të godinave publike shfaqen projekte të reja shumëkatëshe në zona qendrore. Termi i përdorur është “rijetëzim”. Në praktikë, mund tё quhet tashmё edhe “kullёzim”.
Vendimi i miratuar sot hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Pikërisht aty pritet të shfaqen shtojcat me listën e pronave konkrete që po kalojnë në pronësi apo zhvillim nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Vetëm atëherë do të kuptohet qartë se cilat parcela dhe godina po “rijetëzohen” – dhe sa e madhe është pjesa e re e hartës së Tiranës që po kalon në duart e një instrumenti zhvillimi që, në vitet e fundit, ka prodhuar më shumë kate sesa sqarime.








