Tregjet globale të energjisë janë tronditur fort pasi kompania shtetërore QatarEnergy njoftoi ndalimin e prodhimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) pas sulmeve me dronë tё Iranit. Brenda pak orësh nga njoftimi, çmimet e gazit në Europë u rritën me afro 50%, duke reflektuar frikën për ndërprerje të furnizimit nga një prej eksportuesve më të mëdhenj në botë.
Në një deklaratë zyrtare, QatarEnergy konfirmoi se prodhimi i LNG dhe produkteve të lidhura me të është pezulluar pas goditjeve në objektet e saj në Ras Laffan Industrial City dhe Mesaieed Industrial City. Ministria e Mbrojtjes e Katarit bëri të ditur se dy dronë të lëshuar nga territori iranian kishin shënjestruar një depo uji pranë një centrali energjie në Mesaieed dhe një strukturë energjetike në Ras Laffan. Sipas autoriteteve, nuk ka raportime për viktima, ndërsa dëmet materiale po vlerësohen.
Ndërkohë, edhe Arabia Saudite ka raportuar për tentativa sulmesh me dronë ndaj rafinerisë së madhe të naftës në Ras Tanura, në lindje të vendit. Ministria saudite e Mbrojtjes tha se dy dronë janë interceptuar, por si pasojë e ndërhyrjes ka shpërthyer një zjarr i vogël, duke shkaktuar dëme të kufizuara në disa njësi të impiantit. Rafineria Ras Tanura, me kapacitet rreth 550 mijë fuçi në ditë, konsiderohet një nga më të mëdhatë në botë dhe një shtyllë e sektorit energjetik saudit.
Sulmet kanë ndodhur në një moment kritik për tregjet ndërkombëtare, pasi në Ngushticën e Hormuzit – përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës së transportuar në rrugë detare në botë dhe pjesa më e madhe e gazit të Katarit – janë krijuar radhë të gjata ҫisternash për shkak të pasigurisë dhe tensioneve ushtarake. Çdo ndërprerje në këtë korridor jetik energjetik ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet globale të naftës dhe gazit.
Rritja e menjëhershme e çmimeve në Europë sinjalizon shqetësimin për sigurinë e furnizimit, sidomos në një kohë kur shumë vende europiane mbështeten në LNG-në nga Katari për të diversifikuar burimet energjetike. Ndërkohë, autoritetet saudite kanë deklaruar se mbyllja e përkohshme e disa njësive është masë parandaluese dhe se nuk parashikohet ndikim i menjëhershëm në furnizimin e tregut vendas me produkte nafte.
Sulmet vijnë në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit në rajon, pasi Irani ka ndërmarrë goditje hakmarrëse kundër objektivave që i konsideron të lidhura me SHBA-në dhe aleatët e saj. Shtetet e Gjirit, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin, kanë dënuar sulmet dhe kanë riafirmuar të drejtën për vetëmbrojtje në një deklaratë të përbashkët me SHBA-në dhe vende të tjera partnere.
Analistët e sigurisë theksojnë se Irani po ushtron presion mbi vendet e Gjirit duke goditur infrastrukturën energjetike, duke llogaritur se këto shtete kanë më pak interes për një konflikt të zgjatur. Megjithatë, retorika publike e vendeve të rajonit ka qenë e bashkuar dhe e ashpër, duke lënë të kuptohet se përshkallëzimi mund të ketë pasoja më të gjera ekonomike dhe gjeopolitike.
Me tregjet tashmë në alarm dhe me furnizimin energjetik në pikëpyetje, çdo zhvillim i mëtejshëm në Ngushticën e Hormuzit apo në impiantet kryesore të naftës dhe gazit në Gjirin Persik pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale.
(Burimi: Al Jazeera)





