Me kalimin e një tjetër Shën Valentini, një festë që prej shekujsh simbolizon dashurinë mes çifteve, gjithnjë e më shumë lind pyetja: çfarë po ndodh me romanticitetin sot? Të dhënat tregojnë një panoramë jo fort optimiste. Martesat janë në nivele historikisht të ulëta, ndërsa ndjenja e vetmisë është cilësuar si epidemi. Edhe më shqetësuese është fakti se shumë të rinj po shmangin fare përfshirjen romantike.
Sipas një sondazhi të Rasmussen në vitin 2025, 37% e beqarëve nën moshën 30 vjeç në SHBA deklarojnë se “nuk janë të interesuar” për takime apo lidhje. Kjo përbën një ndryshim të dukshëm krahasuar me brezat e mëparshëm, ku lidhjet dhe martesa konsideroheshin pjesë e natyrshme e jetës së rritur.
Një nga arsyet kryesore lidhet me ankthin e lartë që karakterizon brezin Gen-Z. Studimet tregojnë se ky brez përjeton nivele më të larta ankthi social, çka e bën të vështirë afrimin ballë për ballë me persona të panjohur. Frika nga refuzimi, por edhe nga ekspozimi publik – në një epokë ku çdo moment mund të filmohet dhe shpërndahet në rrjete sociale – e shton pasigurinë.
Edhe pse aplikacionet e takimeve janë bërë mënyra më e zakonshme për të njohur partnerë të mundshëm, ato sjellin sfida të tjera. Studime të fundit tregojnë se përdorimi i tyre lidhet me rritje të stresit emocional dhe shqetësimeve për pamjen fizike, veçanërisht tek gratë. Në përgjithësi, takimet romantike mbeten një proces me rrezik refuzimi – një rrezik që tradicionalisht bie më shumë mbi burrat, pasi ata shpesh janë iniciatorët e parë. Kjo mund të shpjegojë edhe rënien më të madhe të interesit për lidhje serioze tek të rinjtë meshkuj në vitet e fundit.
Një tjetër faktor është perfeksionizmi. Gen-Z priret të ketë pritshmëri shumë të larta ndaj partnerit ideal. Rrjetet sociale dhe aplikacionet e takimeve, që ofrojnë qindra profile në pak minuta, krijojnë iluzionin e zgjedhjes së pafundme. Psikologu Barry Schwartz ka paralajmëruar për “paradoksin e zgjedhjes”: sa më shumë alternativa të kemi, aq më e vështirë bëhet të zgjedhim dhe aq më pak të kënaqur ndihemi me zgjedhjen tonë. Kjo mund të çojë në një kërkim të pafund të partnerit “perfekt”, ndërsa kandidatë realë e të përshtatshëm refuzohen sepse nuk përputhen me një ideal të ndërtuar nga fragmente të profileve të ndryshme.
Në sfond është edhe polarizimi politik. Studimet tregojnë se të rinjtë meshkuj po anojnë gjithnjë e më shumë nga e djathta politike, ndërsa të rejat drejt qëndrimeve më progresiste. Kjo ndarje po reflektohet edhe në sjelljen në takime. Një studim i Pew në 2019 zbuloi se 71% e demokratëve deklaronin se nuk do të konsideronin seriozisht një lidhje me dikë që kishte votuar për Donald Trump. Me thellimin e ndarjeve ideologjike, ky hendek mund të jetë zgjeruar edhe më shumë.
Në rrjetet sociale, retorika ekstreme nga të dyja anët – nga kritikat ndaj “patriarkatit” deri tek promovimi i rolit tradicional të gruas – ka thelluar mosbesimin mes gjinive. Çështjet gjinore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet romantike, janë ndër pikat ku dallimet politike janë më të theksuara.
Në fund, duket se problemi nuk qëndron vetëm tek individët. Individualizmi në rritje, izolimi social, pritshmëritë jorealiste, algoritmet e rrjeteve sociale dhe shqetësimet ekonomike e kanë bërë lidhjen dhe martesën të duken si investime me kosto të lartë dhe përfitim të pasigurt për shumë të rinj. Në një realitet të tillë, brezi më i kujdesshëm i kohëve moderne mund të zgjedhë të mos rrezikojë fare.
A është kjo një krizë e përkohshme e romanticitetit, apo një transformim i thellë i mënyrës se si brezi i ri e koncepton dashurinë dhe partneritetin? Koha do ta tregojё…
(Burimi: Allan Roberts Ph.D., Psychology Today)






