Parlamenti çek votoi këtë javë kundër kërkesës së gjykatës për t’i hequr imunitetin kryeministrit Andrej Babiš, duke bllokuar për momentin vazhdimin e një procesi gjyqësor ndaj tij për një çështje të vjetër të dyshuar mashtrimi me fonde të Bashkimit Evropian.
Dhoma e ulët e parlamentit vendosi që Babiš të mos përballet me gjyq në këtë fazë, duke refuzuar kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar. Vendimi u mor me votat e deputetëve të partisë së tij populiste ANO dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, përfshirë partinë e ekstremit të djathtë dhe pro-ruse SPD si dhe grupin politik Motorists.
Kjo do të thotë se kryeministri çek mbetet i mbrojtur nga ndjekja penale për këtë çështje deri në fund të mandatit aktual të parlamentit, në vitin 2029.
Çështja ndaj Babiš lidhet me një subvencion prej rreth 2 milionë eurosh të Bashkimit Evropian, dhënë në vitin 2008 për ndërtimin e një hoteli dhe qendre konferencash pranë Pragës, të njohur si “Stork Nest”.
Prokurorët pretendojnë se Babiš ka fshehur pronësinë reale të kompanisë që përfitoi fondin, në mënyrë që projekti të paraqitej si biznes i vogël dhe të përfitonte subvencionin, ndërkohë që ai ishte pjesë e një grupi të madh biznesi.
Megjithatë, një element thelbësor në këtë çështje është fakti se subvencioni dhe aktiviteti ekonomik për të cilin akuzohet Babiš janë kryer para se ai të hynte në politikë.
Në vitin 2008 ai ishte biznesmen, drejtues i një perandorie shumë-miliardëshe në sektorë si bujqësia, industria kimike, përpunimi ushqimor, pasuritë e paluajtshme dhe klinikat e fertilitetit në disa vende të Evropës.
Pra, akuza lidhet me një aktivitet privat dhe para marrjes së pushtetit, jo me një veprim të kryer gjatë ushtrimit të detyrës si kryeministër apo zyrtar publik.
Vetë Babiš ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se çështja është e motivuar politikisht për të goditur aktivitetin e tij politik.
“Sistemi i partive tradicionale e kuptoi se unë përfaqësoj një rrezik themelor për ta, sepse refuzova të vjedh dhe ata nuk mundën të më korruptonin”, u tha ai deputetëve gjatë debatit në parlament.
Një gjykatë apeli vitin e kaluar kishte rrëzuar një vendim të mëparshëm të një gjykate më të ulët që e shpallte të pafajshëm Babiš-in dhe kishte urdhëruar rigjykimin e çështjes. Por votimi i parlamentit tani pengon që ky rigjykim të vazhdojë për sa kohë ai gëzon imunitetin parlamentar.
Parlamenti çek refuzoi gjithashtu të njëjtën ditë edhe kërkesën për heqjen e imunitetit të aleatit të tij politik, Tomio Okamura, kreu i SPD-së, i cili akuzohet për gjuhë urrejtjeje. Okamura i quajti akuzat një përpjekje për të kriminalizuar opozitën.
Por përtej debatit politik në Çeki, rasti Babiš nuk mund tё përdoret në Shqipëri si një “shembull” për të relativizuar akuzat ndaj zyrtarëve shqiptarë.
Sepse ndoshta dallimi më i madh mes dy rasteve nuk është as emri i personazheve dhe as vendi ku ndodh historia.
Është vetë natyra e akuzës.
Në Çeki, parlamentit iu kërkua të hiqte imunitetin e kryeministrit Andrej Babiš për një çështje që lidhet me një subvencion të marrë në vitin 2008, kur ai ishte thjesht biznesmen dhe nuk kishte hyrë ende në politikë. Pra kërkesa për gjykim lidhet me një aktivitet të kaluar, të kryer para se ai të merrte pushtet politik.
Ndërsa në Shqipëri debati për Belinda Ballukun nuk lidhet me një histori biznesi të dikurshme, por me akuza që lidhen me vendime dhe veprime të dyshuara të kryera gjatë kohës që ajo ka qenë në detyrë, ndërsa ka ushtruar pushtetin.
Dhe këtu mbaron çdo analogji mes dy historive.






