Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA hedhin më shumë dritë mbi aktivitetet e Jeffrey Epstein në ishullin e tij privat në Karaibe, Little St. James, një vend që për vite me radhë u bë simbol i skandalit të trafikut seksual që tronditi botën.
Ishulli rreth 70 hektarë, i vendosur pranë Ishujve Virgin të SHBA, ishte për dekada një destinacion luksi ku Epstein ftonte politikanë, biznesmenë të fuqishëm dhe figura të njohura të botës akademike. Vizitorët mbërrinin me avionë privatë dhe kalonin kohën duke bërë zhytje, duke lundruar me jet ski apo duke pushuar në vilat luksoze të ndërtuara në ishull.

Por sipas dëshmive të viktimave dhe dokumenteve hetimore, pas këtij imazhi të një parajse tropikale fshihej një realitet shumë më i errët. Ishulli dyshohet se u përdor për vite si qendër e trafikut seksual, ku vajza dhe gra të reja silleshin nga vende të ndryshme dhe abuzoheshin.
Hetimet tregojnë se Epstein e bleu ishullin në vitin 1998 për rreth 8 milionë dollarë, duke e shndërruar më pas në një kompleks luksoz me vila, pishina, teatër, palestër dhe struktura të tjera ekskluzive.

Për shkak të izolimit të tij – ishulli mund të arrihej vetëm me helikopter ose anije – ai i ofronte Epsteinit privatësinë që i nevojitej për të organizuar takime me miq të fuqishëm dhe për të mbajtur larg vëmendjen publike.
Dokumentet e reja përfshijnë foto, video, email-e dhe dëshmi, të cilat tregojnë se në ishull kaluan shumë figura të njohura të politikës, biznesit dhe shkencës. Shumica e tyre kanë mohuar të kenë qenë në dijeni të abuzimeve dhe kanë deklaruar se vizitat e tyre ishin të shkurtra ose për qëllime profesionale.
Pas vdekjes së Epstein në burg në vitin 2019, administratorёt e pasurisё sё tij e shitёn ishullin Little St. James dhe ishullin fqinj Great St. James për rreth 60 milionë dollarë. Një pjesë e këtyre parave u përdorё për kompensimin e viktimave.
Megjithatë, ishulli mbetet edhe sot një nga simbolet më të forta të skandalit Epstein, ndërsa hetimet dhe debati publik mbi lidhjet e tij me elitën ndërkombëtare vazhdojnë ende.

(Burimi: CNN)






