Studimet psikologjike sugjerojnë se arsyeja pse disa njerëz krijojnë lidhje shumë të forta me kafshët nuk lidhet thjesht me preferencën ndaj tyre, por me ndjenjën e sigurisë që ato ofrojnë. Për personat që janë rritur pa mjaftueshëm dashuri apo përkujdesje emocionale, një kafshë shtëpiake mund të përfaqësojë një formë të lidhjes së qëndrueshme dhe pa kushte, pa frikën e refuzimit apo kritikës.
Psikologët shpjegojnë se për një fëmijë që rritet në një ambient ku dashuria është e paqëndrueshme – ku afeksioni varet nga humori i prindërve ose ku nevojat emocionale shpesh neglizhohen – marrëdhëniet njerëzore mund të shoqërohen me pasiguri. Në këto raste, sistemi nervor mëson të jetë gjithmonë në gatishmëri dhe lidhjet emocionale mund të perceptohen si të paparashikueshme.
Në këtë kontekst, kafshët ofrojnë një përvojë krejt ndryshe. Një qen apo një mace shprehin afeksion në mënyrë të qëndrueshme dhe pa gjykim. Dashuria e tyre nuk varet nga performanca, nga pritshmëritë apo nga konfliktet e përditshme. Ky stabilitet krijon një ndjenjë të fortë sigurie emocionale.
Eksperimente të njohura në psikologji, si ato të realizuara nga studiuesi amerikan Harry Harlow, treguan se nevoja për kontakt dhe përkujdesje është thelbësore për zhvillimin emocional. Në studimet me majmunë, këlyshët zgjidhnin një “nënë” të butë dhe të ngrohtë edhe kur një tjetër u ofronte ushqim, duke treguar se afërsia dhe përkëdhelja janë po aq të rëndësishme sa nevojat fizike.
Kjo ndihmon të kuptohet pse për disa njerëz lidhja me kafshët bëhet kaq e thellë. Kafshët komunikojnë përmes pranisë dhe gjesteve të thjeshta: një qen që tund bishtin kur të sheh, një mace që gërvisht butësisht ose që struket pranë teje. Këto sinjale janë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open, njerëzit që kanë një lidhje të fortë me kafshët shtëpiake, veçanërisht me qentë, raportojnë nivele më të ulëta ankthi dhe depresioni. Për shumë prej tyre, kafsha bëhet një burim mbështetjeje emocionale dhe një mënyrë për të përjetuar një lidhje të sigurt.
Kjo nuk do të thotë se njerëzit që duan kafshët kanë patur patjetër një fëmijëri të vështirë. Megjithatë, për ata që kanë përjetuar mungesë afeksioni ose pasiguri emocionale në rritje, marrëdhënia me një kafshë mund të jetë përvoja e parë e një lidhjeje të qëndrueshme dhe pa kushte.
Psikologët theksojnë se kjo lidhje mund të shërbejë edhe si një hap drejt ndërtimit të marrëdhënieve më të shëndetshme me njerëzit. Përvoja e sigurisë dhe e besimit që ofron një kafshë mund të ndihmojë individin të kuptojë se marrëdhëniet nuk duhet të shoqërohen gjithmonë me frikë apo pasiguri.
Në këtë mënyrë, kafshët shpesh bëhen jo vetëm shoqërues besnikë, por edhe një urë drejt rikthimit të besimit në lidhjet njerëzore.
Ndaj lidhja e fortë me një kafshë nuk është dobësi, por një mënyrë natyrale për të gjetur siguri emocionale dhe për të plotësuar një nevojë themelore njerëzore – nevojën për dashuri dhe përkujdesje pa kushte.
(Burimi: Global English Editing)






