Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale mblidhet sot për të miratuar kalendarin e konsultimeve në terren, një hap që në dukje shënon nisjen e fazës më të rëndësishme të procesit – dëgjimin e qytetarëve.
Pritet që në javët në vijim të organizohen takime në të gjithë vendin me përfaqësues vendorë, komunitete dhe grupe interesi, për të mbledhur sugjerime mbi riorganizimin e hartës administrative.
Megjithatë, përtej këtij hapi formal, procesi mbetet i rrethuar nga dyshime. Deri tani nuk ka sinjale të qarta bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa mbetet e paqartë se si do të përzgjidhen zërat që do të dëgjohen dhe sa ndikim real do të kenë në vendimmarrje.
Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se konsultimet publike shpesh mbeten në nivel formal, pa u reflektuar drejtpërdrejt në vendimet finale. Pikërisht kjo ngre pikëpyetjen kryesore: a do të jetë kjo një reformë e ndërtuar me qytetarët, apo thjesht një proces i mbyllur që kalon përmes tyre?
Ndërkohë, komisioni ka afat deri në korrik për të sjellë propozime konkrete në Kuvend, duke e bërë këtë periudhë vendimtare jo vetëm për hartën territoriale të vendit, por edhe për besueshmërinë e vetë procesit.







