Një modele 50-vjeçare është dënuar me 7 vite e 7 muaj burg pasi ndërtoi një rrjet mashtrimesh emocionale për të përfituar shuma të mëdha parash nga burra që besonin se ishin në një lidhje të vërtetë me të.
Gemma Kingsley, e përshkruar si “shumë bindëse” dhe e arsimuar, përdori një histori të rreme për një trashëgimi milionëshe që gjoja do ta merrte së shpejti, për të bindur viktimat të shpenzonin dhjetëra mijëra paund në emër të saj. Paratë u përdorën për një stil jetese luksoz, përfshirë makina të shtrenjta, hotele me 5 yje dhe madje edhe organizimin e një dasme që nuk u realizua kurrë.
Sipas hetimeve, ajo jo vetëm që manipulonte emocionalisht viktimat, por në disa raste përdorte edhe kartat e tyre bankare pa dijeni, duke krijuar borxhe të mëdha dhe duke shpenzuar shuma të konsiderueshme për qëndrime nё vende luksoze dhe pёr lojëra fati.


Skema e saj filloi të zbulohej në vitin 2019, kur policia mori një denoncim për përdorim të paautorizuar të të dhënave bankare. Hetimet më pas zbuluan një seri rastesh të ngjashme mashtrimi.
Një nga viktimat, që kishte planifikuar një dasmë luksoze, u la “i turpëruar dhe i shkatërruar emocionalisht” pasi ceremonia u anulua në momentet e fundit, ndërsa familjarët e tij kishin shpenzuar mijëra paund për udhëtimin.
Gjatё gjykimit u zbulua gjithashtu se Kingsley kishte precedentё penalё në Francë për mashtrim, ku kishte shpenzuar rreth 100 mijë euro me kartën e një viktime në resorte luksoze.
Përveç manipulimit financiar, autoritetet theksuan se dëmi më i madh ishte ai psikologjik. Sipas hetuesve, viktimat përjetuan ankth të thellë dhe humbje besimi, duke u ndjerë të tradhtuar në mënyrë të rëndë.
“Ky nuk është vetëm një mashtrim financiar, por një shkelje e thellë e besimit dhe emocioneve njerëzore”, deklaruan autoritetet, duke shtuar se pasojat për viktimat mund të zgjasin me vite.
Rasti i Kingsley konsiderohet një shembull i qartë i asaj që njihet si “mashtrim romantik”, një formë krimi që po bëhet gjithnjë e më e përhapur, ku autorët përdorin ndjenja dhe lidhje të rreme për përfitime financiare.


(Burimi: The Sun)





