Në një klimë të mbushur me tension dhe sinjale kontradiktore, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaron se negociatat me Iranin “po përparojnë shumë mirë”, aq sa ka vendosur të zgjasë me 10 ditë pezullimin e sulmeve ndaj centraleve energjetike iraniane. Sipas tij, ky vendim vjen me kërkesë të Teheranit dhe afati i ri është vendosur për të hënën, më 6 prill, në orën 20:00 sipas kohës së Uashingtonit. Megjithatë, paralelisht me tonin optimist, ai nuk heq dorë nga kërcënimet, duke paralajmëruar se nëse pala iraniane nuk tregohet serioze, Shtetet e Bashkuara mund të shndërrohen në “makthin e tyre më të keq”.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump hodhi poshtë ato që i quajti “deklarata të gabuara” të mediave, ndërsa situata në terren mbetet e paqartë edhe në ditën e 28-të të konfliktit. Mes skenarëve që qarkullojnë, përfshihet edhe mundësia e një operacioni për marrjen e kontrollit të ishullit strategjik të Kharg, një pikë kyçe për eksportin e naftës iraniane në Gjirin Persik.
Retorika e fortë e presidentit amerikan nuk mungon: ai pretendon se Irani “po lutet për një marrëveshje”, ndërkohë që në prapaskenë Pentagoni dhe Komanda Qendrore e SHBA-ve në Lindjen e Mesme po finalizojnë plane për një goditje të mundshme përfundimtare. Përforcimet ushtarake janë në lëvizje, me mijëra marinsa, njësi amfibe dhe parashutistë të gatshëm për një operacion në shkallë të gjerë.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve të CNN, Irani po përgatitet për skenarin më të keq, duke forcuar mbrojtjen në zonën e Kharg dhe duke vendosur mina dhe kurthe. Teherani ka riafirmuar gjithashtu kushtet e tij për refuzimin e planit amerikan, ku në krye qëndron kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, të cilën e konsideron si të drejtë të tij natyrore dhe ligjore.
Diplomacia indirekte vazhdon të lëvizë në prapaskenë, me Pakistanin që luan rolin e ndërmjetësit mes Uashingtonit dhe Republikës Islamike. Megjithatë, vetë Trump ka shtuar konfuzionin me deklarata të paqarta, duke pranuar se nuk është i sigurt nëse një marrëveshje është ende e mundur dhe duke theksuar se Irani duhej të kishte vepruar “katër javë më parë”.
Presioni mbi administratën amerikane po rritet edhe në planin e brendshëm. Sipas The Wall Street Journal, rritja e çmimeve të karburantit, tensionet në Kongres dhe baza elektorale MAGA, si dhe afrimi i zgjedhjeve të mesit të mandatit, po e shtyjnë Trump drejt një përfundimi të shpejtë të konfliktit, idealisht përpara takimit të tij të planifikuar me Xi Jinping në mesin e majit.
Ndërkohë, zhvillimet në terren vazhdojnë me intensitet. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar eliminimin e komandantit të marinës së Pasdaranëve, Alireza Tangsiri, ndërsa në Libanin jugor, sulmet ajrore kanë shkaktuar të paktën tetë viktima. Objektivi i Izraelit mbetet i qartë: eliminimi i Hezbollah nga kufijtë e tij.
Megjithatë, në mesin e kësaj panorame të tensionuar, shfaqen edhe sinjale të lehta zbutjeje. Vendimi për të hequr nga lista e objektivave dy figura kyçe iraniane, si kryetari i Parlamentit Mohammed-Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, interpretohet nga analistët si një hap drejt uljes së tensioneve. Po ashtu, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, flet për “shenja të forta” se Irani mund të jetë i gatshëm për një marrëveshje.
Sipas tij, SHBA-të kanë paraqitur një plan që mund të shërbejë si bazë për paqen, por mbetet për t’u parë nëse Teherani do ta pranojë këtë si një pikë kthese, në një situatë ku alternativa tjetër mbetet përshkallëzimi dhe shkatërrimi i mëtejshëm. Në këtë realitet të paqartë, mes kërcënimeve dhe “degëve të ullirit”, e ardhmja e konfliktit mbetet e hapur dhe e paparashikueshme.
(Burimi: ANSA)






