Gjigandi teknologjik Amazon po bën një nga lëvizjet më të mëdha në historinë e tij: një bast gjigant mbi inteligjencën artificiale, i ndërtuar mbi më shumë se dy dekada zhvillim të infrastrukturës digjitale.
Në qendër të kësaj strategjie është Amazon Web Services (AWS), platforma që sot mbështet një pjesë të madhe të internetit global – nga aplikacionet e përditshme te shërbimet më komplekse online. Sipas CEO-së së AWS, Matt Garman, kompania po hyn në një fazë të re ku AI do të jetë thelbi i gjithçkaje.

E nisur në vitin 2006, AWS fillimisht ofroi serverë dhe infrastrukturë digjitale për kompani që donin të zhvendoseshin online. Sot, ajo është bërë një biznes gjigant që gjeneron mbi 128 miliardë dollarë në vit. Por revolucioni i inteligjencës artificiale po ndryshon rregullat e lojës.
Amazon planifikon të investojë rreth 200 miliardë dollarë vetëm këtë vit në infrastrukturën për AI – kryesisht në qendra të dhënash dhe serverë. Ky është një nga investimet më të mëdha në historinë e teknologjisë dhe shumë më i lartë se pritshmëritë e analistëve.
Në të njëjtën kohë, kompania ka ndërmarrë edhe masa drastike për të rritur efikasitetin, duke shkurtuar dhjetëra mijëra vende pune. Sipas drejtuesve, kjo është pjesë e transformimit drejt një modeli ku AI luan rol gjithnjë e më të madh në operacione, nga logjistika te zhvillimi i softuerit.
AWS është tashmë një aktor kyç në garën globale për AI. Amazon ka investuar miliarda në kompani si OpenAI dhe Anthropic, ndërsa zhvillon edhe çipa të personalizuar për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Përmes platformës së saj Bedrock, mbi 100 mijë kompani po ndërtojnë aplikacione dhe “agjentë” AI.
Megjithatë, konkurrenca është e fortë. Rivalë si Microsoft dhe Google po investojnë nё mёnyrё agresive për të fituar terren në këtë sektor. Sipas të dhënave të tregut, pjesa e Amazon në cloud ka rënë lehtë, nga 39% në 2023 në 37.7% në 2024.
Pavarësisht kësaj, Amazon mbetet lider global dhe pozicioni i saj në infrastrukturën digjitale i jep një avantazh të madh për të përfituar nga kërkesa në rritje për AI.
Por jo të gjithë janë të bindur. Investimet kolosale kanë ngritur shqetësime për një “flluskë” të mundshme të inteligjencës artificiale dhe për kohën kur këto miliarda do të kthehen në fitime konkrete.
Drejtuesit e Amazon janë optimistë. Sipas Garman, kërkesa për AI është aq e madhe sa mund të mbajë të zënë infrastrukturën për 5 deri në 10 vitet e ardhshme, edhe nëse zhvillimi teknologjik ngadalësohet.
Amazon nuk po investon vetëm në një teknologji të re, por po përpiqet të përcaktojë të ardhmen e internetit – njësoj siç bëri me cloud-in dy dekada më parë.
(Burimi: CNN)






