Protesta të mëdha kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në dhjetëra qytete në kuadër të lëvizjes “No Kings”, në kundërshtim me politikat e presidentit Donald Trump.
Tubimet, që shënojnë valën e tretë të protestave të kësaj lëvizjeje, janë zhvilluar në qytete të mëdha si New York, Washington DC dhe Los Angeles, por edhe në zona më të vogla në të gjithë vendin. Në kryeqytet, protestuesit mbushën shkallët e Lincoln Memorial dhe zonën e National Mall, duke marshuar në rrugët kryesore.

Organizatorët thonë se protestat synojnë politikat e administratës Trump, përfshirë luftën në Iran, masat e ashpra për emigracionin dhe rritjen e kostos së jetesës. “Kjo është Amerika dhe pushteti i përket popullit, jo atyre që duan të sillen si mbretër”, deklaruan ata.
Ndërkohë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i minimizoi protestat, duke i quajtur ato “seanca terapie” dhe duke thënë se interes për to kanë vetëm mediat.
Një nga tubimet më të mëdha u zhvillua në St. Paul, ku mijëra njerëz u mblodhën pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë të emigracionit në janar, një ngjarje që ndezi zemërim në mbarë vendin. Në protestë morën pjesë edhe figura publike dhe artistë, mes tyre Bruce Springsteen.
Në New York, mijëra protestues mbushën Times Square dhe marshuan në Manhattan, duke detyruar policinë të mbyllë rrugët kryesore për shkak të turmave.

Protesta janë raportuar edhe jashtë SHBA-së, në qytete si Paris, Londёr dhe Lisbonё, ku emigrantë amerikanë dhe aktivistë kanë dalë në mbështetje të lëvizjes.
Ndërsa disa shtete kanë mobilizuar Gardën Kombëtare si masë sigurie, organizatorët këmbëngulin se protestat janë paqësore.
Që nga rikthimi në pushtet, Trump ka zgjeruar përdorimin e urdhrave ekzekutivë dhe ka ndërmarrë masa të forta në disa fusha, duke shkaktuar përplasje politike dhe reagime të forta nga kritikët, të cilët paralajmërojnë për rrezik ndaj demokracisë.
Vetë presidenti i ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se veprimet e tij synojnë “rindërtimin e një vendi në krizë”.
(Burimi: BBC)






