Një grabitje e mirëorganizuar ka goditur një nga fondacionet më të rëndësishme të artit në Itali, ku janë vjedhur piktura të mjeshtërve të mëdhenj si Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse.
Sipas policisë italiane, katër persona të maskuar hynë në Fondacionin Magnani Rocca, pranë qytetit të Parmës, dhe arritën të grabisin tre vepra arti me vlerë të konsiderueshme brenda vetëm tre minutash.
Autorët morën pikturat “Les Poissons” të Renoir, “Natyrë e qetë me qershi” të Cézanne dhe “Odalisque on the Terrace” të Matisse, ndërsa alarmi i muzeut u aktivizua duke i detyruar të largoheshin pa mundur të vjedhin më shumë.

Sipas mediave italiane, grabitësit hynë me forcë përmes derës kryesore të vilës “Villa dei Capolavori” dhe synuan drejtpërdrejt Dhomën Franceze në katin e parë, ku ndodheshin veprat.

Fondacioni ka deklaruar se banda dukej “e strukturuar dhe e organizuar”, duke lënë të kuptohet se grabitja ishte planifikuar me kujdes. Pas vjedhjes, autorët u arratisën duke kapërcyer një gardh.
Vlera totale e pikturave të vjedhura llogaritet rreth 9 milionë euro, ku vetëm vepra e Renoir “Les Poissons” mendohet të kapë vlerën e 6 milionë eurove.
Kjo e bën ngjarjen një nga grabitjet më të rëndësishme të artit në Itali në vitet e fundit.
Veprat e vjedhura përfaqësojnë periudha të rëndësishme të historisë së artit: “Les Poissons”, e realizuar rreth vitit 1917, është një nga punët e vona të impresionistit Renoir; piktura e Cézanne nga rreth vitit 1890 është një natyrë e qetë e rrallë në akuarel; ndërsa “Odalisque on the Terrace” e vitit 1922 paraqet stilin karakteristik të Matisse me figura në një ambient të ndriçuar.
Hetimet janë marrë përsipër nga Karabinierët italianë dhe Njësia për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Bolonjë, ndërsa lajmi për grabitjen u bë publik vetëm disa ditë pas ngjarjes.
Fondacioni Magnani Rocca, ku ndodhi grabitja, u themelua në vitin 1984 pas vdekjes së koleksionistit dhe kompozitorit Luigi Magnani dhe konsiderohet një nga institucionet më të rëndësishme private të artit në Itali.







