Qielli i natës do të ofrojë një spektakël të veçantë këtë javë, pasi “Hëna rozë” e prillit do të arrijë kulmin e saj, duke shënuar hënën e parë të plotë të pranverës.
Hëna do të jetë në kulmin e plotë të saj të mërkurën në mbrëmje, por ndryshe nga sa sugjeron emri, ajo nuk do të shfaqet ngjyrё rozë. Ajo do të ketë pamjen e zakonshme gri të ndritshme. Emërtimi “rozë” lidhet me lulëzimin e hershëm pranveror të një bime të quajtur Phlox subulata, që çel pikërisht në këtë periudhë.

Sipas ekspertëve, fenomeni mund të vëzhgohet edhe një natë para dhe pas kulmit, pasi hëna konsiderohet “e plotë” për disa orë përreth momentit maksimal. Për ta parë sa më mirë, rekomandohet një vend me qiell të kthjellët dhe pa pengesa si ndërtesa apo pemë, larg ndriçimit të qytetit.
Në kultura të ndryshme indigjene, kjo hënë ka marrë emra të ndryshëm që lidhen me pranverën, si “hëna e luleve”, “hëna e erës” apo “hëna e bretkosave”, duke reflektuar ndryshimet sezonale në natyrë.
Këtë vit, “Hëna rozë” përkon edhe me një moment të rëndësishëm në eksplorimin hapësinor. Ajo shënon periudhën e parë të mundshme për nisjen e misionit Artemis II të NASA, që synon të dërgojë astronautë pranë Hënës për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh.
Ndërkohë, entuziastët e qiellit kanë edhe arsye të tjera për të parë lart në javët në vijim. Në fund të prillit pritet kulmi i shiut të meteorëve Lyrids, ndërsa në maj do të ketё edhe dy hëna të plota, përfshirë një fenomen të rrallë të njohur si “hëna blu”.
Në fund, edhe pse nuk është rozë, kjo hënë mbetet një nga momentet më poetike të pranverës – një kujtesë e bukurisë së natyrës që rikthehet çdo vit.
(Burimi: CNN)






