Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një pilulë të re për humbje peshe, duke shtuar një tjetër alternativë në tregun në rritje të barnave kundër obezitetit.
I zhvilluar nga Eli Lilly dhe i quajtur orforglipron, ilaçi do të tregtohet me emrin Foundayo. Sipas të dhënave nga studimet klinike, pacientët kanë humbur mesatarisht rreth 12% të peshës trupore pas 72 javësh përdorimi në dozën më të lartë.
Kjo pilulë konsiderohet një hap i rëndësishëm, pasi ofron një alternativë më praktike për pacientët që nuk preferojnë injeksionet. Ndryshe nga disa barna të tjera, ajo mund të merret në çdo moment të ditës dhe pa lidhje me ushqimin.
Orforglipron është pilula e dytë e këtij lloji që hyn në treg, pas produktit të Novo Nordisk, i miratuar në fund të vitit 2025, i cili përmban të njëjtin përbërës si Ozempic. Të dyja medikamentet kanë treguar efekte të ndjeshme në uljen e peshës.
Çmimi i pilulës së re do të variojë nga 149 deri në 349 dollarë në muaj për pacientët pa sigurim shëndetësor.
Ilaçi vepron duke imituar një hormon natyral të trupit që ndihmon në uljen e oreksit dhe rregullimin e sheqerit në gjak. Në studime, ai ka treguar gjithashtu përmirësim të ndjeshëm tek pacientët me diabet të tipit 2.
Efektet anësore janë të ngjashme me ato të barnave të tjera për dobësim, kryesisht probleme gastrointestinale si të përziera dhe diarre.
Miratimi i këtij ilaçi pritet të intensifikojë konkurrencën mes kompanive farmaceutike, ndërsa pacientët tashmë kanë më shumë mundësi për të zgjedhur trajtimin më të përshtatshëm për ta.






