Në Gjykatën Administrative të Tiranës, para gjyqtarit Hazbi Balliu, u zhvillua sot seanca për padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, një përballje që pritej të sqaronte ligjshmërinë e emërimit të këtij të fundit.
Por ajo që ndodhi në sallë ishte krejt tjetër.
Veliaj, përmes avokatit të tij Plarent Ndreca, vuri në diskutim drejtpërdrejt statusin e Dados si prokuror, duke pretenduar se ai nuk plotësonte kriteret ligjore në momentin e emërimit dhe duke kërkuar shpalljen tё pavlefshёm të dekretit presidencial të vitit 2008.
Megjithatë, mbrojtja e Ols Dados shmangu me forcё dhe nuk dha asnjё argument pёr ligjshmёrinё e emёrimit tё tij si prokuror. Avokati i tij u fokusua në një linjë tjetër: nëse padia ka interes ligjor dhe nëse roli i Dados ndikon apo jo në çështjen penale ndaj Veliajt, duke tentuar tё zhvendoste kёshtu debatin nga “a është emëruar ligjërisht?” te “a ka lidhje kjo me çështjen konkrete?”.
Edhe më e paqartë ishte paraqitja e përfaqësueses ligjore të Presidencës.
Ajo u kufizua në një shpjegim formal se në vitin 2008 dekreti ishte nxjerrë mbi propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk arriti të mbajë një qëndrim të qartë nëse akti është apo jo i vlefshëm. Madje, në disa momente pranoi se nuk ishte e qartë se cilat dokumente shoqëruese kërkoheshin në atë kohë, duke e lënë praktikisht çështjen plotësisht nё vlerësimin e gjykatës dhe pa një mbrojtje substanciale nga institucioni që ka nxjerrë dekretin.
Vetë Veliaj, në një deklarim të gjatë, e përdori seancën për të vijuar akuzat ndaj prokurorit, duke e cilësuar sjelljen e tij si të pazakontë dhe të mbështetur mbi procedura të dyshimta.
Seanca u shty pёr rregullimin e ndёrgjyqёsisё.
Një proces që nisi si sfidë ndaj statusit të një prokurori, përfundoi – të paktën për momentin – në një diskutim procedural, me thelbin që pret datёn 8 maj pёr tё marrё ndonjё përgjigje.






