Në një postim të orëve të fundit në rrjetin e tij Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur gjuhë të rëndë dhe abuzive për t’i bërë thirrje Iranit që të lejojë anijet të kalojnë Ngushticën e Hormuzit.
Ai kërcënoi se do të sulmojë infrastrukturën energjetike dhe të transportit iranian kudo dhe njëkohësisht.
Postimi i plotë:
“E marta në Iran do quhet Dita e Termocentraleve dhe Dita e Urave, të gjitha do sistemohen njëkohësisht. Do jetë e paparë, e padëgjuar më parë!!! HAPENI ATË M.T NGUSHTICË, O bastardë të çmendur, përndryshe do përjetoni FERRIN – MBAJENI MEND! Falënderimi i qoftë Allahut. Presidenti DONALD J. TRUMP.”
Nuk është hera e parë që Trump përdor një gjuhë me tone të theksuara agresive dhe pa kufij etikete. Dy ditë më parë ai u tall me Presidentin francez Makron dhe gruan e tij duke thënë: “Telefonova Makronin, që gruaja e tij e trajton shumë keq, dhe madje ende po rikuperohet nga një goditje në nofull. I kërkova ndihmë në Gjirin Persik, por ai refuzoi duke thënë se Franca mund të ndërhyjë vetëm pasi lufta të ketë përfunduar.”
Por statusi i sotëm, i shkruar në një moment tejet delikat për fatet e luftës në Iran, ka shqetësuar jo vetëm palët e përfshira në luftime, në Gjirin Persik apo në Lindjen e Mesme, por të gjithë diplomacinë ndërkombëtare.
Kërcënimi me fjalë pa asnjë përmbajtje, që tejkalon kufijtë e një komunikimi ndërshtetëror, duket se do jetë preludi i një veprimi që paraprin ngjarje të paparashikuara në rang global.






