Në një kohë kur shumë vende po ashpërsojnë rregullat për marrjen e shtetësisë, ka edhe zhvillime që shkojnë në drejtim të kundërt. Një prej tyre është Kanadaja, e cila po hap rrugë të reja për miliona aplikantë potencialë, në një moment kur lëvizjet globale për emigracionin dhe shtetësinё po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara.
Në Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të kufizuar dhёnien automatikisht tё shtetësisë përmes lindjes janë përballur me skepticizëm nga Gjykata e Lartë, duke sinjalizuar një debat të fortë ligjor dhe politik mbi të ardhmen e këtij parimi.
Ndërkohë në Evropë, Italia ka ndryshuar rregullat për shtetësinë përmes prejardhjes, duke kufizuar mundësitë për shumë persona me origjinë italiane që shpresonin të përfitonin pasaportën. Ky ndryshim ka prekur jo vetëm aplikantët e rinj, por edhe familje që tashmë jetonin në Itali duke ndjekur këtë proces.
Në kontrast me këto zhvillime, Kanadaja ka lehtësuar kriteret, duke bërë që miliona amerikanë të kualifikohen për shtetësi kanadeze pas një ndryshimi të rregullave në fund të vitit të kaluar. Pritet që dhjetëra mijëra aplikime të dorëzohen, shumë prej tyre si një “plan rezervë” për të ardhmen.
Këto ndryshime tregojnë një panoramë të fragmentuar globale, ku disa shtete po mbyllen për të kontrolluar më fort emigracionin dhe identitetin kombëtar, ndërsa të tjera po e shohin hapjen si një mundësi për të tërhequr banorë të rinj dhe për të përforcuar ekonominë e tyre.
Shtetësia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një instrument strategjik – jo vetëm një status ligjor, por edhe një zgjedhje që lidhet me sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen personale të individëve.
(Burimi: CNN)






