Një padi e bujshme është ngritur në Shtetet e Bashkuara, ku Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, ka akuzuar kompanitë Johnson & Johnson dhe Kenvue se kanë mashtruar konsumatorët duke promovuar ilaçin Tylenol si të sigurt për gratë shtatzëna, ndërkohë që ai dyshohet se lidhet me rritjen e rrezikut për autizëm tek fëmijët. Padia është depozituar në Gjykatën e Qarkut Panola dhe kërkon që kompanitë të përgjigjen për shkelje të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe të paguajnë miliona dollarë në dëmshpërblime.
Në dokumentin ligjor thuhet se prodhuesit e Tylenol kanë fshehur informacion mbi efektet e mundshme të acetaminofenit, përbërësi aktiv i ilaçit, duke e reklamuar atë si të vetmin mjet të sigurt kundër dhimbjeve për gratë shtatzëna. Prokurori Paxton, i cili garon edhe për Senatin amerikan, e ka cilësuar këtë rast si një shembull të mashtrimit të madh farmaceutik ndaj publikut amerikan.
Kenvue, kompania që aktualisht zotëron të drejtat mbi Tylenol, ka reaguar duke e cilësuar padinë si të pabazë dhe ka deklaruar se ilaçi është i sigurt dhe përdoret në mënyrë të gjerë në mbarë botën. Johnson & Johnson ndërkohë është distancuar nga çështja, duke theksuar se prej vitesh nuk ka më përgjegjësi mbi këtë produkt.
Ekspertët e shëndetit publik në SHBA kanë reaguar me shqetësim ndaj përhapjes së akuzave, duke theksuar se lidhja mes përdorimit të Tylenol gjatë shtatzënisë dhe autizmit nuk është e provuar shkencërisht. Sipas tyre, acetaminofeni mbetet një nga alternativat më të sigurta për trajtimin e dhimbjeve dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, ndërsa frika dhe keqinformimi mund të dëmtojnë më shumë shëndetin e grave dhe fëmijëve.
Padia në Teksas vjen disa javë pasi presidenti Donald Trump deklaroi publikisht se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë autizëm, duke ndezur debate të ashpra në opinionin amerikan. Rasti pritet të tërheqë vëmendjen e madhe të mediave dhe pritet të bëhet një nga betejat më të mëdha ligjore ndaj industrisë farmaceutike në vitet e fundit.






