Një histori e pazakontë heroizmi ka marrë një vlerësim unik në Kamboxhia, ku është përuruar statuja e parë në botë kushtuar një miu që zbulonte mina tokësore, në nder të legjendarit Magawa.
Statuja u vendos në Siem Reap dhe përkon me Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin për Minat, duke rikujtuar rrezikun e vazhdueshëm që këto armë paraqesin ende për popullsinë vendase.
Magawa, një mi gjigant afrikan i trajnuar nga organizata APOPO, u bë i famshëm për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të nuhatur eksplozivë. Gjatë një karriere pesëvjeçare që nisi në vitin 2016, ai arriti të zbulojë mbi 100 mina dhe mjete të tjera shpërthyese, duke pastruar më shumë se 141 mijë metra katrorë tokë – një sipërfaqe e barabartë me rreth 20 fusha futbolli.
Falë peshës së tij të lehtë, Magawa mund të lëvizte mbi zonat e minuara pa rrezikuar shpërthimin, ndërsa shpejtësia e tij ishte mbresëlënëse: një zonë sa një fushë tenisi mund ta kontrollonte në vetëm 20 minuta.
Në vitin 2020, ai u nderua me Medaljen e Artë nga PDSA, një nga vlerësimet më të larta për kafshët, duke u bërë miu i parë në histori që merrte këtë çmim për shpëtimin e jetëve njerëzore.

Magawa ndërroi jetë në vitin 2022, pas një pensionimi të shkurtër për shkak të moshës, por trashëgimia e tij vazhdon. Përfaqësues të APOPO-s theksojnë se monumenti i tij është një kujtesë se lufta kundër minave nuk ka përfunduar ende, ndërsa vendi synon të jetë plotësisht i çminuar deri në vitin 2030.
Ndërkohë, puna e tij po vazhdohet nga brejtës të tjerë të trajnuar, si Ronin, i cili ka vendosur tashmë një rekord të ri duke zbuluar më shumë mina se vetë Magawa, duke dëshmuar se “HeroRATS” mbeten një nga armët më të pazakonta, por efektive në shpëtimin e jetëve.

(Burimi: Reuters/BBC)






