India ka nisur një nga operacionet më të mëdha administrative në botë: regjistrimin e plotë të popullsisë, që përfshin rreth 1.4 miliardë banorë. Procesi, i vonuar për vite për shkak të pandemisë dhe problemeve organizative, pritet të zgjasë më shumë se një vit dhe të përfshijë mbi 3 milionë punonjës që do të shkojnë derë më derë në qytete të mëdha dhe zona të thella rurale.
Ky është regjistrimi i parë pas 16 vitesh, ndërkohë që India tashmë konsiderohet vendi më i populluar në botë, duke kaluar Kinën. Ndryshimet demografike janë të mëdha: mbi 40% e popullsisë është nën moshën 25 vjeç, çka për ekonomistët përfaqëson një potencial të madh zhvillimi, por edhe sfida serioze për punësimin dhe mirëqenien.
Procesi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë do të mblidhen të dhëna për kushtet e jetesës, banesat dhe aksesin në shërbime bazë si uji i pijshëm, energjia dhe infrastruktura. Në fazën e dytë, që pritet të zhvillohet në vitin 2027, do të fokusohen në të dhëna më të detajuara si arsimi, të ardhurat, migrimi dhe lindshmëria.
Për herë të parë në afro një shekull, regjistrimi do të përfshijë edhe përkatësinë në kastë – një sistem i vjetër social që vazhdon të ndikojë në jetën e miliona indianëve. Kjo ka hapur debate të forta në vend: disa e shohin si një mënyrë për të ndihmuar grupet e margjinalizuara, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se mund të thellojë ndarjet shoqërore.
Autoritetet synojnë të mbledhin një gamë të gjerë informacioni, nga kushtet e banimit deri tek përdorimi i teknologjisë, si interneti apo telefonat inteligjentë. Për herë të parë, të dhënat do të regjistrohen në mënyrë elektronike përmes aplikacioneve mobile, duke modernizuar një proces që historikisht është kryer manualisht.
Ky regjistrim pritet të japë një pasqyrë të qartë mbi strukturën dhe sfidat e një prej shoqërive më të mëdha dhe më komplekse në botë, duke ndikuar drejtpërdrejt në politikat ekonomike, sociale dhe zhvillimore të viteve në vijim.

(Burimi: CNN)






