Nga skena e Palazzetto dello Sport në Cuneo, aktori dhe aktivisti George Clooney ka dhënë një mesazh të fortë politik dhe social përpara 2,700 studentëve, duke paralajmëruar për rreziqet ndaj demokracisë dhe ekuilibrave ndërkombëtarë.
I ftuar në aktivitetin “Dialog mbi Talentin”, Clooney trajtoi hapur zhvillimet në politikën amerikane dhe globale.
Ai sulmoi drejtpërdrejt Donald Trump, duke deklaruar se: “Disa thonë se Trump është mirë, por nëse dikush thotë se dëshiron t’i japë fund qytetërimit, ky është një krim.” Sipas tij, mund të mbështesësh pikëpamje konservatore, por ekziston një kufi që nuk duhet kaluar.
Aktori shprehu gjithashtu shqetësim për të ardhmen e NATO-s, duke theksuar se aleanca ka qenë kyçe për sigurinë e Evropës dhe botës. “Jam i shqetësuar që një institucion si ky po shpërbëhet. Përtej gabimeve, SHBA-të kanë bërë edhe shumë gjëra të jashtëzakonshme që kanë mbijetuar,” u shpreh ai.

Clooney ndaloi edhe te roli i fondacionit të tij për drejtësi, duke theksuar se ka kontribuar në lirimin e mbi njëqind gazetarëve të burgosur në botë, duke riafirmuar rëndësinë e lirisë së shtypit si shtyllë e demokracisë.
Në një reflektim mbi industrinë e filmit, ai pranoi se në fillimet e karrierës kishte parë abuzime në sheshet e xhirimit. “Regjisorët dhe producentët silleshin keq, bërtisnin dhe aktoret trajtoheshin edhe më keq,” tha ai, duke shtuar se sot situata është përmirësuar ndjeshëm. Rasti Harvey Weinstein, sipas tij, ishte një pikë kthese e rëndësishme.
Në fund, Clooney iu drejtua të rinjve me thirrjen qё të ndjekin ëndrrat, të pranojnë dështimin si pjesë e suksesit dhe të mos ndalen kurrë së luftuari për atë që ka rëndësi. Ai i ftoi të rinjtë të vlerësojnë mundësitë, edhe ato të vogla, dhe t’i përballojnë me integritet.
“Jam një fermer nga Kentucky dhe përfundova këtu. Duhet edhe fat, por të gjithë do të keni momentet tuaja. Përballuni me to me integritet dhe mos zgjidhni vetëm atë që ju jep përfitim të menjëhershëm,” u shpreh Clooney, duke mbyllur fjalimin me një mesazh optimist: “Kemi një jetë përpara – pa keqardhje, vetëm ecni përpara.”
(Burimi: ANSA)






