Një sagë e errët që zgjati për dekada mori fund në një gjykatë të Qarkut Suffolk, ku Rex Heuermann pranoi me gjakftohtësi vrasjen e tetë grave, duke tronditur edhe një herë opinionin publik në SHBA.
62-vjeçari, i gjatë rreth 1.80 metra, i veshur me kostum dhe kravatë blu, qëndroi përballë gjyqtarit Timothy Mazzei pa asnjë shprehje në fytyrë, ndërsa konfirmoi se i kishte mbytur dhe lidhur viktimat në të njëjtën mënyrë, përpara se t’ua hidhte trupat në zona të izoluara përgjatë plazheve të Long Island.
Për çdo pyetje të gjykatës, ai përgjigjej thjesht me “Po”, pa hedhur asnjëherë vështrimin drejt sallës ku ndodheshin familjarët e viktimave, të cilët kishin pritur për më shumë se një dekadë që drejtësia të vihej në vend.
Rasti kishte përndjekur banorët e zonës për vite me radhë. “Të gjithë flisnin për këtë, nuk ishte tabu. Secili kishte teorinë e tij,” kujton një ish-shoqe klase e tij. Misteri filloi të zbardhej vetëm në vitin 2023, kur policia e arrestoi Heuermann në zyrën e tij në Midtown Manhattan, pasi e lidhi me krimet përmes ADN-së së gjetur në një kuti picash.
Fillimisht ai u akuzua për shtatë vrasje, por gjatë seancës së fundit pranoi edhe një tjetër krim të kryer në vitin 1996, duke e çuar numrin total në tetë viktima.
Çështja doli në dritë në vitin 2010, kur hetuesit zbuluan katër grupe mbetjesh njerëzore pranë plazhit Gilgo, shumë pranë njëra-tjetrës. Më pas hetimet zbuluan një zinxhir vrasjesh që përfshinte gra të reja, shumica e të cilave punonjëse seksi, të kontaktuara përmes reklamave online.
Heuermann pranoi vrasjen e tetë grave, duke përfshirë Melissa Barthelemy, Megan Waterman, Amber Costello, Maureen Brainard-Barnes, Jessica Taylor, Valerie Mack, Sandra Costilla dhe Karen Vergata.
Në gjykatë, ai dha pak detaje shtesë, duke pranuar se i joshte viktimat me premtimin e parave, më pas i vriste dhe i copëtonte përpara se të hidhte mbetjet e tyre. Fjalët e tij ishin të pakta, të ftohta, shpesh të reduktuara në një term të vetëm: “mbytje”.
“Nuk kishte asnjë pikë pendimi në fytyrën e tij. Ai ishte i ftohtë si akulli,” deklaroi pas seancës një nga avokatët e familjeve të viktimave.
Ai pritet të marrë disa dënime me burgim të përjetshëm, të cilat do të formalizohen më 17 qershor.
Në sallën e gjyqit ishte e pranishme edhe ish-bashkëshortja e tij, Asa Ellerup, e cila qëndronte e heshtur dhe pa shprehje, ndërsa vajza e tyre mbante një shami në dorë. Jashtë gjykatës, ajo shprehu solidaritet me familjet e viktimave, duke e cilësuar humbjen e tyre si “të pamatshme”.
Rasti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u zhvilluan hetimet. Familjarët e viktimave kanë akuzuar policinë për neglizhencë, duke pretenduar se përparimi i ngadaltë lidhej me faktin se viktimat ishin punonjëse seksi. Edhe disa banorë të Long Island kanë shprehur të njëjtin shqetësim, duke e konsideruar të papranueshme kohën e gjatë që iu desh drejtësisë për të zbuluar autorin e krimeve.
(Burimi: BBC)






