Kryeministri britanik Keir Starmer ka shprehur hapur zhgënjimin për pasojat ekonomike që po vijnë nga tensionet globale, duke fajësuar drejtpërdrejt veprimet e Vladimir Putin dhe Donald Trump për rritjen dhe luhatjet e çmimeve të energjisë.
Gjatë një interviste për ITV News nga Lindja e Mesme, Starmer u shpreh se situata është bërë e papranueshme për qytetarët dhe bizneset britanike, të cilët po përballen me fatura energjie që ndryshojnë vazhdimisht.
Ai theksoi se familjet në Mbretërinë e Bashkuar po e ndiejnë drejtpërdrejt ndikimin e krizave ndërkombëtare, ndërsa çmimet e energjisë po luhaten për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë konfliktet dhe tensionet në rajone kyçe si Lindja e Mesme dhe Ngushtica e Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, Starmer reagoi edhe për situatën në Lindjen e Mesme, duke dënuar sulmet e Izraelit në Liban. Ai u shpreh qartë se këto veprime janë të gabuara dhe duhet të ndalen, duke kërkuar që edhe Libani të përfshihet në çdo marrëveshje armëpushimi që lidhet me konfliktin me Iranin.
Kryeministri britanik theksoi se çështja nuk është vetëm teknike apo juridike nëse ka apo jo shkelje të armëpushimit, por mbi të gjitha një çështje parimesh dhe vlerash.
I pyetur për deklaratat e ashpra të Trump, i cili kishte paralajmëruar se “një qytetërim i tërë do të zhdukej”, Starmer u distancua nga kjo gjuhë, duke theksuar se nuk është mënyra se si ai komunikon apo drejton politikën.
Ai shtoi se Britania do të udhëhiqet nga parimet dhe vlerat e saj dhe nuk do të përfshihet në konflikte ushtarake pa një bazë të qartë ligjore.
Deklaratat e Starmer vijnë në një moment kur kriza energjetike dhe tensionet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ekonomitë e vendeve perëndimore, duke rritur presionin mbi qeveritë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.





