Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi takimin e tij të tensionuar këtë javë me Presidentin amerikan Donald Trump si një “bisedë mes miqsh”. Por vetë Trump dha një version krejt tjetër në rrjetet sociale, duke e quajtur NATO-n “shumë zhgënjyese” dhe duke shtuar se aleatët “nuk kuptojnë asgjë pa presion”.
Ndërsa lufta me Iranin ka tronditur Lindjen e Mesme dhe ka ushtruar presion të fortë mbi ekonominë globale, ajo ka thelluar ndjeshëm përçarjen mes SHBA-ve dhe aleatëve europianë në NATO. Kjo përçarje vjen pas më shumë se një viti tensionesh, të ushqyera nga kërcënimet e vazhdueshme të Trump për të braktisur aleancën.
Pakënaqësia e presidentit amerikan është rritur ndërsa armëpushimi i brishtë me Iranin mbetet i pasigurt. Disa nga mbështetësit e Trump kanë nisur të vënë në dyshim rezultatet e luftës. Në të njëjtën kohë, ai ka rikthyer edhe një temë të vjetër: dëshirën për të marrë kontrollin e Groenlandës, pavarësisht bisedimeve diplomatike që, sipas Shtëpisë së Bardhë, po ecin mirë.
Trump ka shprehur hapur zhgënjimin e tij ndaj vendeve europiane, të cilat nuk mbështetën plotësisht ndërhyrjen amerikane kundër Iranit. Madje, vende si Britania dhe Spanja vendosën kufizime për përdorimin e bazave të tyre nga SHBA, duke thelluar më tej tensionet.
Nga ana tjetër, Mark Rutte u përpoq të ulë tonet, duke theksuar se NATO është një aleancë që mbron si Europën, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, dhe duke kujtuar se SHBA përfiton nga bazat ushtarake në kontinentin europian. Megjithatë, çarjet në aleancë janë gjithnjë e më të dukshme dhe pritet të kenë pasoja afatgjata, edhe nëse arrihet një marrëveshje më e qëndrueshme për përfundimin e luftës.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e përshkroi situatën si një “test transatlantik”, duke pranuar se vendi i tij po përballet me pasoja të rënda ekonomike nga rritja e çmimeve të energjisë. Ai theksoi se nuk dëshiron një ndarje brenda NATO-s.
Qëndrimi kritik i Trump ndaj NATO-s nuk është i ri. Ai ka argumentuar prej kohësh se vendet europiane përfitojnë nga mbrojtja amerikane pa kontribuar mjaftueshëm. Por këtë herë, tensionet janë përshkallëzuar nga refuzimi i aleatëve për të mbështetur luftën kundër Iranit.
Madje, presidenti amerikan ka shkuar më tej, duke kërcënuar hapur se mund të tërhiqet nga NATO dhe duke rikthyer pretendimet për Groenlandën. “E gjitha filloi me Grenlandën,” tha ai, duke shtuar: “Ne e duam atë. Ata nuk duan ta japin.”
Në prapaskenë, SHBA, Danimarka dhe autoritetet e Groenlandës vijojnë bisedimet, por nuk ka asnjë tregues se ishulli do t’i kalojë nën kontroll Uashingtonit.
Ndërkohë, edhe zëra të afërt me Trump në SHBA kanë filluar të vënë në pikëpyetje vlerën e NATO-s. Moderatori Sean Hannity e quajti Europën “një kontinent në rënie”, duke sugjeruar se aleanca mund të mos ketë më të njëjtën rëndësi.
Raporte të fundit tregojnë se administrata Trump po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së trupave amerikane nga vendet që konsiderohen më pak bashkëpunuese drejt vendeve si Polonia dhe Rumania, që shihen si më mbështetëse.
Megjithatë, disa analistë besojnë se këto sulme ndaj NATO-s janë pjesë e një modeli të njohur të Trump. Sipas tyre, kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, ai shpesh zhvendos fokusin drejt aleatëve më të dobët politikisht.
Siç shprehet analisti Jeremy Shapiro: “Goditja ndaj Europës dhe NATO-s nuk ka kosto të madhe të brendshme për Trump. Është tipike për të – kur situata përkeqësohet, ai gjen dikë më të dobët dhe e fajëson.”
(Burimi: NYT)






