Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u largua nga bisedimet me Iranin pa arritur një marrëveshje për programin bërthamor, duke e lënë administratën e Donald Trump përballë disa skenarëve të vështirë dhe me pasoja të rënda.
Dështimi për të siguruar lëshimet që kërkonte Uashingtoni gjatë një sesioni maratonë prej më shumë se 21 orësh nuk ishte një surprizë e madhe për analistët. Por pyetja kryesore mbetet: çfarë ndodh tani?
Situata e krijuar e vendos Shtëpinë e Bardhë përballë dy opsioneve kryesore: ose të hyjë në një proces të gjatë negociatash me Teheranin për të ardhmen e programit bërthamor, ose të përballet me rrezikun e rifillimit të luftës – një konflikt që tashmë ka shkaktuar tronditjen më të madhe energjetike në kohët moderne dhe ka vënë në pikëpyetje kontrollin mbi Ngushticёn e Hormuzit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se do t’i lënë presidentit Trump vendimin për hapat e ardhshëm. Ai ndodhej në Florida gjatë fundjavës, ndërsa çdo skenar i mundshëm mbart kosto të mëdha politike dhe strategjike.
Vance dha pak detaje mbi negociatat, por la të kuptohet se SHBA i kishte paraqitur Iranit një ofertë “merre ose lëre”, që parashikonte ndalimin e përhershëm të programit bërthamor. Sipas tij, pala iraniane e refuzoi.
“Ua kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe dhe çfarë jemi të gatshëm të pranojmë. Ata zgjodhën të mos i pranojnë kushtet tona,” u shpreh ai.
Ky zhvillim nuk ndryshon shumë nga ngërçi i mëparshëm në Gjenevë në fund të shkurtit, i cili çoi më pas në një fushatë ushtarake 38-ditore të urdhëruar nga Trump, me sulme ndaj bazave ushtarake dhe infrastrukturës së armatimeve në Iran.
Administrata amerikane kishte llogaritur se demonstrimi i fuqisë ushtarake do ta detyronte Iranin të ndryshonte qëndrim. Por Teherani reagoi ndryshe, duke e forcuar pozicionin e tij.
“Humbjet e mëdha vetëm sa e kanë bërë më të fortë vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e kombit iranian,” deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit.
Frika në Uashington është se negociatat mund të shndërrohen në një proces të gjatë dhe të komplikuar. Vetë Trump e konsideron veten fitues të konfliktit dhe kërkon që Irani të kapitullojё, një qëndrim që vështirë se përputhet me realitetin diplomatik.
Historia e marrëveshjeve të mëparshme tregon të kundërtën. Marrëveshja e fundit e madhe mes SHBA dhe Iranit, gjatë administratës së Barack Obama, mori dy vite negociata dhe një seri kompromisesh nga të dyja palët.
Ngërçi aktual lidhet me të njëjtin thelb: Irani është i gatshëm të kufizojë përkohësisht aktivitetin bërthamor, por jo të heqë dorë përfundimisht nga pasurimi i uraniumit. Për Teheranin, kjo është një e drejtë sovrane; për SHBA, është një rrezik potencial për zhvillimin e armëve bërthamore.
Ndërkohë, një tjetër faktor kyç është armëpushimi dyjavor që përfundon më 21 prill. Trump mund të kërcënojë me rifillimin e operacioneve ushtarake, por ky opsion mbart rreziqe të mëdha politike dhe ekonomike.
Vetëm pak javë luftë shkaktuan ndërprerje të rreth 20% të furnizimit global me naftë, duke rritur çmimet e karburanteve dhe duke krijuar mungesa në produkte të rëndësishme si plehrat kimike dhe heliumi për industrinë e teknologjisë. Tregjet reaguan pozitivisht ndaj armëpushimit, por një rikthim i konfliktit mund të sjellë rënie ekonomike dhe rritje të inflacionit.
Në qendër të gjithçkaje mbetet Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike jetike për tregtinë globale. Irani e ka përdorur kontrollin mbi këtë rrugë si mjet presioni, duke e lidhur hapjen e saj me kërkesat për heqjen e sanksioneve dhe kompensime për dëmet e luftës.
SHBA ka refuzuar kompensimet dhe ka theksuar se heqja e sanksioneve mund të vijë vetëm gradualisht dhe në këmbim të lëshimeve konkrete.
Ajo që u bë e qartë nga këto bisedime është se të dyja palët e shohin veten si fituese: SHBA për shkak të fuqisë ushtarake të përdorur, dhe Irani për faktin që i rezistoi presionit. Në këtë klimë, kompromisi duket ende larg.
(Burimi: NYT)






