Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka dënuar hapur komentet e Donald Trump ndaj Papa Leos sё XIV-tё, duke i cilësuar ato si “të papranueshme”.
Presidenti amerikan e akuzoi Papën se ishte “i dobët përballë krimit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme” në një postim të gjatë në rrjetin social Truth Social, ndërsa më vonë u shpreh para gazetarëve se “nuk ishte një fans i madh i tij”.
“Papa është kreu i Kishës Katolike dhe është e drejtë dhe normale që ai të bëjë thirrje për paqe dhe të dënojë çdo formë lufte”, deklaroi Meloni, e cila drejton një qeveri të djathtë dhe njihet si aleate e afërt e Trump.
Edhe partneri i saj në koalicion, Matteo Salvini, reagoi duke thënë se “sulmi ndaj Papës nuk duket si një gjë e dobishme apo inteligjente”.
Nga ana tjetër, Papa Leo XIV zgjodhi të mos përshkallëzojë përplasjen. Gjatë një udhëtimi drejt Algjerisë, ai deklaroi se nuk dëshironte të hynte në debat me Trump, por do të vazhdonte të promovonte paqen.
Papa ka qenë kritik i fortë i luftës në Iran, duke e quajtur kërcënimin e Trump për “shkatërrimin e qytetërimit iranian” si “të papranueshëm” dhe duke i bërë thirrje të gjejë një rrugë për t’i dhënë fund konfliktit.
Megjithatë, Trump i përshkallëzoi sulmet, duke deklaruar se nuk do t’i kërkonte falje Papës “shumë të dobët” dhe duke shtuar se ai “nuk po bën një punë të mirë” dhe “është shumë liberal”.
Ai shkoi edhe më tej duke sugjeruar se Papa u zgjodh për shkak të kombësisë së tij:
“Po të mos isha unë në Shtëpinë e Bardhë, Leo nuk do të ishte në Vatikan”, deklaroi Trump.
Përgjigjja e Papës ishte e matur, por e qartë: ai theksoi se roli i tij nuk është politik, por shpirtëror.
“Nuk kam frikë nga administrata Trump apo nga të flas për mesazhin e ungjillit… Nuk dua të hyj në debat me të. Ka shumë njerëz që vuajnë në botë dhe dikush duhet të thotë se ka një mënyrë më të mirë”, u shpreh ai.
Në një tjetër fjalim, Papa kritikoi “shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe tendencat neokoloniale”, duke bërë thirrje për drejtësi dhe solidaritet global.
Reagimet ndaj Trump nuk munguan as në botën katolike. Analisti italian Massimo Faggioli tha se sulmet e tij janë të paprecedenta:
“As Hitleri apo Musolini nuk e sulmuan Papën kaq drejtpërdrejt dhe publikisht.”
Papa Leo XIV shihet si vazhdim i linjës së Papa Françesku, i cili gjithashtu pati përplasje me Trump, sidomos për çështjet e emigracionit. Ai e kishte cilësuar më parë presidentin amerikan si “jo të krishterë” për shkak të retorikës së tij.
Ndërkohë, përplasja e fundit vjen në një moment të ndjeshëm global, me luftën në Iran dhe tensionet ndërkombëtare që vazhdojnë të thellohen — duke e kthyer konfliktin Trump–Vatikan në një debat me ndikim shumë më të gjerë sesa thjesht retorika politike.
(Burimi: BBC)






