Administrata e Donald Trump është detyruar të tërhiqet nga vendimi për heqjen e flamurit LGBT dhe ka pranuar ta rivendosë atë në monumentin historik Stonewall National Monument në Nju Jork, pas një beteje ligjore me organizatat për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Flamuri LGBT – i njohur ndryshe si flamuri i ylberit, simbol global i komunitetit LGBTQ+ – ishte hequr në shkurt nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare, me arsyetimin se rregullat federale lejojnë në shtizat zyrtare vetëm flamuj të caktuar, përveç rasteve me kontekst historik.
Vendimi shkaktoi reagime të forta dhe protesta, ndërsa aktivistët vendosën flamujt e tyre në shenjë kundërshtimi. Si pasojë, disa organizata, përfshirë Gilbert Baker Foundation, ngritën padi kundër administratës.
Sipas marrëveshjes së arritur në gjykatë, e cila pritet të miratohet zyrtarisht nga një gjyqtar, flamuri LGBT do të rikthehet në shtizën zyrtare të monumentit brenda shtatë ditësh dhe do të qëndrojë aty në mënyrë të përhershme.
Në deklaratën e tij, Charles Beal nga fondacioni e cilësoi flamurin e ylberit si “një emblemë globale të shpresës, dukshmërisë dhe luftës për barazi”.
Monumenti Stonewall ndodhet përballë Stonewall Inn, një bar historik ku në vitin 1969 një bastisje policore u kthye në revoltë dhe u bë pikënisja e lëvizjes moderne për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në SHBA dhe në botë.
Fillimisht, flamuri ishte vendosur gjatë administratës së Joe Biden, ndërsa vetë monumenti ishte shpallur zonë kombëtare nga Barack Obama në vitin 2016.
Kthimi i flamurit u përshëndet edhe nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili e quajti atë “një fitore për komunitetin LGBTQ+ dhe për gjithë qytetin”.
“Është një kujtesë se njujorkezët nuk do të lejojnë që historia të rishkruhet”, u shpreh ai.
Pas marrëveshjes, në shtizën zyrtare të monumentit do të valëviten tre flamuj: flamuri amerikan, flamuri LGBT dhe flamuri i Shërbimit të Parqeve Kombëtare — një kombinim që tashmë simbolizon jo vetëm historinë, por edhe betejat moderne për të drejta dhe përfshirje.

(Burimi: BBC)






