Një numër rekord gardianesh femra në Angli janë pushuar nga puna gjatë vitit të fundit për shkak të lidhjeve intime me të burgosur meshkuj, duke ngritur shqetësime serioze për disiplinën dhe sigurinë në sistemin penitenciar britanik.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, 18 gardiane u shkarkuan vetëm gjatë periudhës 2024–2025 për marrëdhënie të papërshtatshme me të burgosur. Në pesë vitet e fundit, numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 58. Përveç humbjes së vendit të punës, në raste të caktuara ato rrezikojnë edhe ndjekje penale dhe dënim me burg.
Statistikat, të publikuara pas një kërkese për informim, tregojnë përmasa edhe më të gjera të fenomenit. Gjatë pesë viteve të fundit janë hapur 252 hetime – mesatarisht pothuajse një në javë – lidhur me marrëdhënie të ndaluara mes gardianeve dhe të burgosurve. Nga këto, 105 raste kanë përfunduar me masa disiplinore, ndërsa 58 punonjëse janë shkarkuar përfundimisht.
Rritja është e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Gjatë tre viteve të fundit, mesatarisht 13 gardiane në vit janë pushuar për lidhje të paligjshme, ndërsa mes viteve 2017 dhe 2019 mesatarja ishte vetëm tre raste në vit.
Një nga rastet më të bujshme është ai i Charlotte Winstanley, 27 vjeç, e cila u dënua me dy vjet e gjysmë burg pasi pranoi se kishte pasur një lidhje me të burgosurin Jabhari Blair, 30 vjeç, ndërsa punonte në burgun HMP Lindholme në Yorkshire të Jugut. Sipas gjykatës, ajo organizonte takime romantike me të, i dërgonte mesazhe ku shprehte dëshirën për të pasur një fëmijë me të dhe e vazhdoi marrëdhënien edhe pasi ishte pezulluar nga detyra.

Andrew Neilson nga organizata “Howard League for Penal Reform” deklaroi se fenomeni nuk mund të neglizhohet. Ai theksoi nevojën për më shumë studime dhe të dhëna të sakta, si dhe për politika më të forta kontrolli dhe trajnimi për stafin e burgjeve.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Burgjeve u shpreh se kur punonjësit bien nën standardet e kërkuara, merren masa të menjëhershme dhe të ashpra. Sipas tyre, shumica e stafit janё tё ndershёm, por rastet e shkeljeve po zbulohen më shpesh falë forcimit të njësisë kundër korrupsionit dhe procedurave më të rrepta të verifikimit.
Rritja e këtyre rasteve ka hapur debat në Britani për presionet, kushtet e punës dhe sfidat me tё cilat përballen punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe për nevojën e mbrojtjes së integritetit profesional brenda mureve të burgut.
(Burimi: The Sun)






