Artist i muzikës pop nga Los Angeles, Blackbear, ka publikuar këngën e tij të re “Britney in ’07”, e cila rikthen në vëmendje periudhën e vështirë të Britney Spears në vitin 2007, të kthyer ndër vite në meme dhe simbol kulturor. Kënga nuk është krijuar si tallje, por si një reflektim për presionin e madh të industrisë së muzikës dhe mënyrën se si publiku shpesh gjykon personazhet publikë pa njohur realitetin e tyre.
Para publikimit, Blackbear i dha Page Six një dëgjim ekskluziv dhe shpjegoi se çfarë e frymëzoi ta shkruante këngën. “Të gjithë e kanë parë foton ikonike të Britney-t me kokën e rruar dhe çadrën në dorë dhe kanë thënë: ‘Po, e ndiej këtë’. Ajo çast formësoi kulturën. Britney ka ndikuar kulturën… dhe vazhdon ta bëjë,” tha këngëtari, i cili ka bashkëpunuar me artistë si Demi Lovato, MGK dhe Justin Bieber. Ai shtoi se “ndonjëherë njerëzit mendojnë se je në kulmin tënd, ndërsa brenda po përjeton një stuhi. Askush nuk e di çfarë po kalon dikush”.
Blackbear, me emrin e vërtetë Matthew Tyler Musto, tha se kënga synon të shprehë atmosferën emocionale të asaj periudhe të trazuar në jetën e Spears — një ndjesi të njohur për shumë artistë që rriten nën trysninë e famës dhe vështrimit publik. “Je duke bërë më të mirën që mundesh… dhe ndërkohë të gjykojnë pa e ditur historinë tënde”, tha ai për Page Six.
Kënga e re trajton presionin e industrisë së muzikës, duke e kombinuar dramën me elementë humori, kaosi dhe referenca të kulturës pop. Ai tregon se e shkroi fillimisht gjatë pandemisë së COVID-19, në vitin 2020, me producentin Andrew Goldstein, me qëllimin për të krijuar muzikë që ndihmon njerëzit të buzëqeshin përmes vështirësive. “Fillimisht nuk e publikova, sepse mendoja se koha e trazuar ishte e përkohshme — por rezulton se ende ndihemi kështu,” tha ai.
Në vargjet e këngës ai këndon:
“Ndihem si Britney në vitin 2007, gati të përballoj gjithçka / duke kaluar gjëra të vështira, duket sikur askush nuk më kupton… Nëse Britney mund të mbijetonte në 2007, edhe ti mund ta bësh sot”.
Në vitin 2007, Britney Spears u kthye nё qendёr tё vëmendjes për problemet e saj shëndetësore, përfshirë momentin kur rruajti kokën dhe dëmtoi makinën e një fotografi me një çadër — një nga periudhat më të diskutuara të karrierës së saj.

(Burimi: Daily Mail)






