Kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra pas protestës së një nate më parë në Tiranë, duke publikuar edhe fotografi të mjeteve që ai i cilësoi si “bomba artizanale” të përdorura ndaj policisë.
Në mesazhin e tij publik, kreu i qeverisë akuzoi opozitën për ushtrim dhune dhe e cilësoi atë si një fenomen të papranueshëm për një vend demokratik.
Rama deklaroi se me këto mjete janë sulmuar dhe plagosur efektivë të policisë, ndërsa kërkoi që drejtësia të ndëshkojë pa hezitim autorët. Ai shkoi më tej duke paralajmëruar se “fati politik” i këtij cikli protestash do të vendoset në zgjedhjet e ardhshme, ku – sipas tij – kundërshtarët do të përballen me një humbje edhe më të thellë, ndërsa qeveria do të vijojë kursin drejt integrimit europian.
Por përtej retorikës politike, reagimi i kryeministrit nxjerr në pah një shqetësim real për përshkallëzimin e tensioneve në rrugë. Kur një lider zgjedh të publikojë prova dhe të përdorë një gjuhë kaq të fortë, zakonisht synon të marrë kontrollin e narrativës publike dhe të vendosë një vijë të qartë ndarëse mes protestës dhe dhunës.
Fenomeni i përshkallëzimit të protestave nuk është aspak i izoluar dhe nuk ndodh vetëm në Shqipëri, siç pretendon Kryeministri. Në shumë vende të botës, tubimet politike kanë kaluar shpesh nga revolta qytetare në përplasje të forta me policinë. Në Shtetet e Bashkuara, protesta të ndryshme – nga ato racore te përplasjet politike – janë shoqëruar me zjarrvënie, sulme ndaj forcave të rendit dhe përdorim të mjeteve të improvizuara. E njëjta tablo është parë edhe në vende të tjera demokratike. Në Australi, përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë tubimit të fundit për vizitën e Presidentit izraelit bënë xhiron e rrjetit.
Kur protestat kalojnë në dhunë, ato pushojnë së qeni thjesht një shprehje pakënaqësie dhe kthehen në treguesin e diçkaje që nuk po funksionon. Në këtë prizëm, reagimi i Ramës nuk duket vetëm një kundërpërgjigje politike ndaj opozitës, por edhe një refleks përballë një skenari që është parë shpesh jashtë vendit – përshkallëzimi gradual i protestave deri në ndryshime themelore në qeverisje.
Ndërsa publikimi i fotove të mjeteve shpërthyese dhe përdorimi i termave si “armë me kapacitet vdekjeprurës” sugjerojnë se kryeministri po përpiqet të ndërtojë narrativën e një rreziku real, për të nënvlerësuar pakënaqësinë e popullit protestues.
Megjithatë, kjo lloj gjuhe zakonisht shfaqet kur pushteti percepton se protesta mund të dalë nga kontrolli dhe të marrë trajtë më agresive. Nuk është thjesht debat mes mazhorancës dhe opozitës; është sinjal se klima në rrugë po tensionohet dhe se çdo episod dhune rrit frikën e një spiraleje përplasjesh.
Pikërisht për këtë arsye, sytë tashmë janë kthyer nga 20 shkurti, kur opozita ka paralajmëruar një protestë edhe më të fortë dhe më të ashpër se ajo e fundit.








