Apartamenti luksoz i stilistit legjendar italian Giorgio Armani në Nju Jork është nxjerrë në shitje për plot 10 milionë dollarë, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e tregut imobiliar të luksit. Bëhet fjalë për një rezidencë prej rreth 2,000 metrash katrorë në Madison Avenue, në zonën ekskluzive të Upper East Side në Manhattan – një pronë ku vetë Armani nuk ka jetuar asnjëherë.
Sipas mediave amerikane, apartamenti në numrin 760 të kësaj rruge ikonike është projektuar personalisht nga vetë “Mbreti George”, siç njihet shpesh stilisti në industrinë e modës. Prona është vetëm një nga dhjetë rezidencat që kanë qenë në pronësi të tij ndër vite.
I vendosur në katin e gjashtë të një ndërtese elitare, apartamenti përfshin dy dhoma gjumi, dy banjo dhe një gjysmë banjo. Ambientet dallohen për elegancën minimaliste: dysheme me parket prej lisi të bardhë amerikan, tavane mbi tre metra të larta dhe dritare panoramike që ofrojnë pamje mbresëlënëse të horizontit të qytetit.
Kuzhina, e konceptuar si një hapësirë moderne për ngrënie, është e pajisur me banakë prej guri të lëmuar dhe elektro-shtëpiake të nivelit më të lartë. Një ashensor gjysmëprivat hapet drejt një holli që të çon në një sallon gjigant prej mbi 500 metrash katrorë – një hapësirë e menduar për rehati dhe pritje elitare.
Kostot mujore të mirëmbajtjes arrijnë në 6,695 dollarë dhe përfshijnë akses në palestër, spa, një sallon me tarracë, si dhe një dhomë çaji Zen me shërbim ushqimi nga restoranti Armani.
Dalja në treg e kësaj prone konfirmon edhe një herë standardin e lartë që lidhet me emrin e stilistit italian, ndërsa apartamenti pritet të bëhet një nga pronat më të kërkuara për blerësit e pasur që synojnë luksin absolut në zemër të Nju Jorkut.





(Burimi: ANSA)






