Mos e shtyni jetën për më vonë, mos u shqetësoni për gjërat e vogla dhe mos prisni momentin e fundit për t’u thënë njerëzve sa shumë vlejnë për ju. Këto janë disa nga mësimet më të rëndësishme që infermierët dhe mjekët e kujdesit paliativ kanë nxjerrë nga puna me pacientët në fund të jetës. Në një rrëfim për gazetën britanike The Guardian, ata tregojnë se çfarë i shqetëson njerëzit në ditët e fundit, për çfarë pendohen dhe çfarë ka vërtet rëndësi kur koha po mbaron.
Për shumë njerëz, fjala hospice, që i referohet kujdesit paliativ për personat në fazën përfundimtare të jetës, lidhet me vdekjen dhe dorëzimin përballë sëmundjes. Por për profesionistët që punojnë çdo ditë me pacientë të tillë, kuptimi i saj është krejt tjetër.
Courtney, një infermiere e specializuar në kujdesin paliativ në shtetin amerikan të Misurit, e konsideron këtë shërbim si një dhuratë për pacientët.
“Është t’i japësh dikujt mundësinë të qëndrojë në shtëpi, të hajë ose të mos hajë çfarë të dëshirojë. Është dhurata e rehatisë”, shpjegon ajo.
Pacientët që marrin këtë lloj kujdesi zakonisht kanë një diagnozë terminale dhe një prognozë prej gjashtë muajsh ose më pak.
Courtney e nisi punën me pacientët në fund të jetës kur ishte infermiere në onkologji. Ajo kujdeshej për persona që vinin nga terapia intensive ose reparte të tjera të spitalit, kur trajtimi përqendrohej te lehtësimi i dhimbjeve dhe shqetësimeve, në vend të zgjatjes së jetës.
Ajo kujton se sa rëndësi kishte përgatitja e dhomës, ulja e ndriçimit dhe krijimi i një atmosfere të qetë, ku pacientët dhe familjarët mund të kalonin së bashku momentet e fundit.
Kjo përvojë ndryshoi mënyrën se si ajo e shihte jetën, punën dhe marrëdhëniet njerëzore.
Në një artikull të publikuar nga The Guardian, Courtney dhe profesionistë të tjerë të kujdesit paliativ ndajnë 12 mësime që kanë marrë nga njerëzit që kanë shoqëruar drejt fundit të jetës.
1. Flisni hapur për vdekjen
Penny Smith, një infermiere e sapodalë në pension, e cila ka punuar për 20 vjet në kujdesin paliativ në shtetin e Uashingtonit, thotë se bisedat e hapura me familjarët janë ndër gjërat më të rëndësishme për një fund jete sa më të qetë.
Shumë njerëz shmangin të flasin për vdekjen nga frika se do të mërzisin të afërmit ose për shkak të besëtytnive.
Dr. Luyi Kathy Zhang, drejtuese e njësisë së kujdesit paliativ në spitalin Bellevue të Nju Jorkut, thotë se disa njerëz kanë frikë se vetëm duke folur për vdekjen mund ta afrojnë atë.
Por diskutimi i dëshirave paraprakisht ndihmon që ato të respektohen. Kjo mund të përfshijë muzikën që dëshiron të dëgjosh në momentet e fundit ose personat që dëshiron të kesh pranë.
2. Edhe vdekja mund të ketë momente të bukura
Vdekja shoqërohet natyrshëm me frikë, humbje dhe dhimbje. Megjithatë, infermierët thonë se ajo mund të përmbajë edhe momente të jashtëzakonshme dashurie.
Courtney përshkruan pacientë që ndërrojnë jetë në shtëpi, të rrethuar nga njerëzit e dashur, duke dëgjuar muzikë dhe duke kujtuar histori të përbashkëta.
“Vdekja mund të jetë e trishtueshme”, thotë Zhang. “Por ka kaq shumë bukuri kur sheh dashurinë dhe përkushtimin mes njerëzve, që bëhen edhe më të dukshme në fund të jetës.”
3. Mos i shtyni ëndrrat për një të ardhme që mund të mos vijë
Një nga pendesat që profesionistët dëgjojnë më shpesh lidhet me planet e parealizuara.
Njerëzit shpesh presin të kenë më shumë para, më shumë kohë ose më shumë energji për të bërë udhëtimin e ëndrrave, për të ndjekur një pasion apo për të ndryshuar jetën.
Por ajo kohë nuk vjen gjithmonë.
“Shumë nga pacientët e mi e shtynë udhëtimin e jetës së tyre dhe nuk arritën ta bënin kurrë”, thotë Smith.
Zhang tregon se shumë pacientë pendohen që nuk i ndoqën dëshirat e tyre nga frika e gjykimit të të tjerëve, e rrezikut apo e së panjohurës.
“Të gjithë mendojmë se do të jetojmë 80, 90 ose 100 vjet, por kjo nuk ndodh për të gjithë. Prandaj, guxoni t’i bëni gjërat”, këshillon ajo.
4. Mësoni të dalloni çfarë mund të kontrolloni
Puna me pacientët terminalë i ka mësuar Courtneyt se shumë gjëra në jetë janë jashtë kontrollit tonë. Ajo nuk mund të ndalojë përparimin e kancerit ose të sëmundjeve të tjera të rënda. Por mund të kontrollojë mënyrën se si kujdeset për pacientin.
“Mund të sigurohem që dëshirat e tij të respektohen, që familjarët të marrin kujdesin e nevojshëm dhe që ai të ruajë dinjitetin”, shpjegon ajo.
Për Courtneyn, ky është një mësim që vlen edhe jashtë spitalit: të mos harxhojmë energji duke luftuar gjërat që nuk mund t’i ndryshojmë, por të përqendrohemi tek ato ku veprimet tona mund të bëjnë ndryshimin.
5. Kujdesuni për marrëdhëniet me njerëzit
“Shumë njerëz, për arsye të ndryshme, janë vetëm në fund të jetës”, thotë Zhang.
Pacientët e saj shpesh flasin për miqtë që u mungojnë, për njerëzit me të cilët kanë humbur kontaktet dhe për marrëdhëniet që do të donin t’i kishin ruajtur.
Këto rrëfime e kanë shtyrë të jetë më aktive në marrëdhëniet e saj personale. Ajo nuk pret gjithmonë që të tjerët ta telefonojnë ose ta ftojnë për t’u takuar.
“Nëse njerëzit nuk më kontaktojnë, do të jem unë ajo që do ta bëjë hapin e parë, sepse kjo ka rëndësi për mua”, thotë ajo.
6. Mos u shqetësoni për gjërat e vogla
Ky është një nga mësimet më të thjeshta, por edhe më të fuqishme, sipas Courtneyt. Puna e përditshme pranë njerëzve që po vdesin e ka ndihmuar të kuptojë se cilat probleme meritojnë vërtet një reagim emocional.
Kur ngec në trafik ose përballet me shqetësime të vogla të përditshme, ajo i kujton vetes se këto ngjarje nuk do të kenë rëndësi në fund të jetës.
“Nëse do të kem fatin të jetoj deri në 80 vjeç ose kur të jem në shtratin e vdekjes, nuk do të jem duke menduar për këtë”, thotë ajo.
7. Jetoni të tashmen
Për Zhang, mësimi më i rëndësishëm është të jesh i pranishëm në jetën tënde.
Përpara se të punonte në kujdesin paliativ, ajo ishte vazhdimisht e përqendruar te objektivi i radhës, te puna që duhej përfunduar apo te arritja tjetër.
Ndërsa përpiqej të ndërtonte të ardhmen, shpesh harronte të vlerësonte të tashmen.
Sot, thotë se është shumë më mirënjohëse për kënaqësitë e vogla të përditshme, madje edhe për mundësinë e thjeshtë për t’u zgjuar në mëngjes dhe për të shijuar një kafe.
8. Çdo njeri është personi më i dashur për dikë tjetër
Një kolege i dha Courtneyt vite më parë një këshillë që ndryshoi mënyrën se si ajo i shihte pacientët.
Në spitale, personeli mund të mësohet t’i shohë njerëzit përmes emrave, diagnozave dhe kartelave mjekësore.
Por çdo pacient ka një histori dhe një vend të pazëvendësueshëm në jetën e dikujt tjetër.
“Kur hyjmë në atë dhomë, ai nuk është thjesht zoti Johnson. Ai është edhe babai i Sarës”, kujton Courtney.
Sipas saj, ky këndvështrim na ndihmon të tregojmë më shumë durim dhe mirëkuptim ndaj njerëzve, edhe në situata të zakonshme, si kur dikush na pret rrugën në trafik.
9. Puna është vetëm një pjesë e jetës
Courtney e konsideron punën e saj një pasion të vërtetë. Megjithatë, pacientët i kujtojnë vazhdimisht se, sado kuptimplotë të jetë profesioni, ai nuk mund të përbëjë të gjithë jetën.
Duhet të ketë hapësirë edhe për familjen, miqtë, pushimin dhe përvojat personale.
“Edhe kur puna ka shumë kuptim, ndonjëherë duhet të dimë ta lëmë pas derës”, thotë ajo.
10. Njerëzit duan të dinë se jeta e tyre ka pasur kuptim
Në momentet e fundit, familjarët shpesh përpiqen t’i qetësojnë të dashurit duke u thënë se është në rregull të largohen.
Por nga përvoja e saj, Smith ka kuptuar se shumë njerëz kanë nevojë të dëgjojnë diçka tjetër. Ata duan të dinë se jeta e tyre ka pasur rëndësi, se kanë lënë gjurmë dhe se ekzistenca e tyre ka pasur një qëllim.
Për ta, siguria se janë dashur dhe se kanë pasur ndikim në jetën e të tjerëve mund të jetë një nga ngushëllimet më të mëdha.
11. Jeta është një përzierje gëzimi, humori dhe vështirësish
Një paciente i tha dikur Courtneyt një shprehje që ajo nuk e ka harruar: “Qesh pak, të shpëton edhe ndonjë pikë”.
Ishte një batutë për ndryshimet fizike që vijnë me moshën, por edhe një kujtesë se jeta mund të jetë njëkohësisht e bukur, e çrregullt dhe plot situata të papritura.
Courtney e kujton me humor këtë moment, sepse i kujton se edhe përballë fundit të jetës, njerëzit mund të ruajnë aftësinë për të qeshur.
12. Njerëzit largohen, por ndikimi i tyre mbetet
Një nga përvojat më prekëse për Courtneyn është fakti se ajo vazhdon të kujtojë pacientë që kanë ndërruar jetë shumë vite më parë.
Ndonjëherë nuk janë ngjarje të mëdha, por biseda të shkurtra, një shaka apo një gjest i vogël që i mbetet në kujtesë. Kjo e ka bërë të kuptojë se ndikimi që kemi te të tjerët mund të zgjasë shumë më tepër sesa vetë jeta jonë.
“Ka ndërveprime të vogla me pacientë që i mbaj mend edhe pas shumë e shumë vitesh”, thotë ajo. “Dhe mendoj se kjo është e bukur, sepse në fund të fundit nuk lëmë shumë gjëra në këtë botë, përveç ndikimit që kemi pasur dhe mënyrës se si të tjerët na kujtojnë.”
Në të gjitha këto rrëfime, mesazhi i përbashkët nuk është se njerëzit duhet të jetojnë me frikën e vdekjes. Përkundrazi, përvoja e atyre që e shohin atë çdo ditë i fton njerëzit të vlerësojnë më shumë kohën që kanë.
Të mos i shtyjnë pafundësisht ëndrrat, të mos i lënë marrëdhëniet të zbehen, të mos e matin gjithë jetën me suksesin profesional dhe të mos harrojnë se shpesh gjërat më të rëndësishme janë edhe më të thjeshtat: dashuria, prania, kujdesi dhe kujtimet që lëmë pas.
Burimi: The Guardian



