E shkruar nga Meti Fidani në Korçë, në vitin 1993, poezia “Dëmshpërblimi” sjell një dëshmi të fuqishme poetike mbi vuajtjet e familjeve të përndjekura gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Përmes vargjeve të ngarkuara me dhimbje, revoltë dhe kujtime personale, autori pasqyron pasojat e burgosjeve, internimeve dhe humbjes së viteve më të rëndësishme të jetës. Figura e babait, vuajtjet e nënës dhe fëmijëria e humbur ndërthuren në një rrëfim që shpreh kërkesën për drejtësi dhe llogaridhënie.
Poezia trajton gjithashtu zhgënjimin ndaj atyre që, sipas autorit, ndryshuan qëndrimet pas rënies së diktaturës, pa u përballur me përgjegjësitë e së kaluarës. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe tone të forta proteste, Meti Fidani e kthen vargun në një thirrje kundër harresës dhe padrejtësisë.
“Dëmshpërblimi” mbetet një shprehje poetike e dhimbjes së të përndjekurve dhe e kërkesës së tyre për dinjitet, kujtesë historike dhe drejtësi.
Dëmshpërblimi
Më ke borxh demokracinë,
që babai, mezi e priste
më ke borxh, ato gjuhë të huaja,
që bukur i fliste
dhe këngët e tij më ke borxh,
dhe zërin kanarinë
më ke borxh babanë,
më ke borxh pafajësinë.
Borxh, këmishën e dhëndërisë, gjakosur n’Burrel
në birucat ku dielli, as hyn, e as del
më ke borxh thonjtë e tij, ia shkule për së gjalli…
oh, sa borxh më ke, ptu… të marrtë djalli.
Hallet e nënës, më ke borxh, të kuqtë, nusërinë
ti vellon ia hoqe, dhe i veshe vetminë
borxh, dhe lotët e saj, që s’mi shlyen kurrë
vite e vite në pritje, me burrë, e pa burrë.
Më ke borxh të qarën e parë, ç’them, nuk qava, u tremba
në kampin e Gjazës, me policë e gjemba
mushkonjat kisha lodra, e baltën plastelinë
më ke borxh dritën, buzëqeshjen, fëmijërinë.
Poezit’ e para, më ke borxh, e s’di ku m’i gropose
e dyert e dijes, që m’i mbylle, me kyçe, e lloze
më ke borxh rininë, e dëftesën mbushur me 10-ta
më ke borxh jetën time, dhe të vashës me gërsheta
për mua të përndjekurin, e prangose në vetmi
më ke borxh dy zemra, borxh, një dashuri.
E thanë, që marrëzitë tënde, o i marrë, u sosën
e thanë, që të hoqën zvarrë, e diku të varrosën
por një natë, dole nga dheu, e u ngjalle lugat
ti që ngrysesh diktator, e gdhihesh demokrat.
Shëmbëlltyra jote, sot shan diktaturën
ti je vetëm një ujk, që ke ndërruar lëkurën
je e njëjta fytyrë, me djallëzira kallajisur
ti, persekutori im, në kolltuk kapardisur.
Un’ mbetem, i përndjekuri, por jo, lipcari yt
me përrallat e tua, jam mbytur, gjer në fyt
ti je mbarsur më ligësinë, që në embrion, që në vezë
Ptu… Paç faqen e zezë!
Meti Fidani





