Çdo vit, më 3 mars, festohet Dita Botërore e Shkrimtarëve. Kjo ditë u shpall zyrtarisht në vitin 1986 nga PEN International, organizatë e themeluar në Londër në vitin 1921.
Ideja për krijimin e kësaj organizate lindi nga shkrimtarja angleze C. A. Dawson Scott, ndërsa presidenti i parë i saj ishte shkrimtari dhe nobelisti John Galsworthy.
Emri “PEN” rrjedh nga inicialet e fjalëve Poetë, Eseistë dhe Novelistë (Poets, Essayists, Novelists), por organizata përfshin shkrimtarë të të gjitha zhanreve letrare, si dhe gazetarë, historianë dhe autorë të tjerë. Sot, PEN International ka qendra në mbi 130 vende të botës.
Kjo organizatë është një nga institucionet më të vjetra letrare globale dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e letërsisë dhe kulturës, e mbi të gjitha në mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
Përveç 3 marsit, në botë shënohen edhe data të tjera të rëndësishme për letërsinë, si 23 prilli – Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, si dhe Dita Botërore e Poezisë.
Në këtë ditë, përkujtohen me mirënjohje të gjithë shkrimtarët shqiptarë, të cilët ndërkohë hodhën themelet e një letërsie me vlera të larta.
Ata krijuan në periudha të vështira historike, nën trysninë e censurës dhe sfidave politike, por ditën ta shndërrojnë fjalën në qëndresë, artin në dëshmi dhe letërsinë në një formë lirie.
Me penën e tyre, letërsia shqipe u bë jo vetëm një akt estetik, por edhe një akt ndërgjegjeje, një zë kundër çdo regjimi e pushteti të përkohshëm e të padrejtë, një mbrojtje e dinjitetit njerëzor dhe e identitetit kombëtar.
Nga rilindësit që zgjuan vetëdijen kombëtare, te autorët që sfiduan diktaturën dhe te shkrimtarët bashkëkohorë që e çojnë përpara fjalën shqipe në arenën ndërkombëtare, letërsia mbetet dëshmi e shpirtit të një kombi që nuk rreshti së shkruari edhe kur heshtja imponohej.
Sot ata nderohen si themelues, si krijues dhe si dëshmitarë të kohës, sepse përmes tyre historia, dhimbja, shpresa dhe identiteti ynë vazhdojnë të jetojnë në fjalë.






