Nga sot, mënyra se si udhëtarët kalojnë kufijtë e Europës ndryshon përfundimisht. Bashkimi Europian ka nisur zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve, EES (Entry/Exit System), një projekt gjigant që synon të modernizojë dhe forcojë sigurinë kufitare për të gjithë qytetarët e vendeve jashtë BE-së. Në praktikë, kjo do të thotë se në aeroportet dhe pikat kufitare të vendeve të zonës Shengen, vulat tradicionale në pasaportë do të zhduken, për t’u zëvendësuar me regjistrim biometrik dhe elektronik të çdo hyrjeje apo daljeje.
Sistemi do të regjistrojë automatikisht të dhënat personale të udhëtarëve që hyjnë në territorin Schengen për qëndrime afatshkurtra — deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Përveç emrit dhe numrit të pasaportës, do të mblidhen edhe gjurmët e gishtërinjve dhe imazhi i fytyrës, të cilat ruhen në një bazë të dhënash të përbashkët të BE-së. Nga ky proces përjashtohen vetëm fëmijët nën 12 vjeç. Sipas autoriteteve europiane, qëllimi është pёr të shkurtuar pritjet në kufi dhe të rritet efikasiteti i kontrolleve, pasi sistemi do të njohë automatikisht nëse një person ka qëndruar më shumë se lejohet apo nëse ka hyrje të dyshimta në zonën Shengen.
Në fakt, për udhëtarët shqiptarë dhe shtetasit e tjerë që udhëtojnë pa vizë në Europë, ky është një ndryshim i madh praktik: çdo hyrje e tyre do të regjistrohet elektronikisht, ndërsa sistemi do të llogarisë vetë se sa ditë qëndrimi i mbeten secilit brenda periudhës 90-ditëshe. Në rast se tejkalohet afati, të dhënat do të mbahen për 5 vjet përpara se të fshihen, ndërsa për rastet normale ruajtja zgjat 3 vjet.
Në thelb, EES është pjesë e një strategjie të re të Brukselit për menaxhimin e flukseve migratore dhe parandalimin e hyrjeve të paligjshme. Pas rritjes së presionit migrator dhe shqetësimeve për sigurinë kufitare, BE-ja ka investuar shuma të mëdha për zhvillimin e këtij sistemi. Vetëm në fazën e projektimit, buxheti i parashikuar ka qenë 142 milionë euro, ndërsa implementimi i është besuar një konsorciumi ndërkombëtar ku përfshihen kompania amerikane IBM, kompania italiane Leonardo dhe grupi francez Atos.
Zbatimi do të ndodhë me faza: sistemi nis sot në disa pika kufitare të zgjedhura, ndërsa deri më 10 prill 2026 do të përfshijë të gjithë territorin e zonës Shengen. Për udhëtarët, kjo do të thotë që në javët e para mund të përballen me rëndesa dhe pritje më të gjata për shkak të regjistrimeve fillestare biometrike.
EES është vetëm fillimi i një epoke të re në udhëtimin drejt Europës. Vitin e ardhshëm pritet të hyjë në fuqi edhe ETIAS – sistemi europian i autorizimit të udhëtimit, i cili do të kërkojë që qytetarët e vendeve të treta, përfshirë edhe shqiptarët, të aplikojnë online për leje udhëtimi përpara nisjes.
Në pamje të parë, EES mund të duket si një proces thjesht teknologjik, por në fakt përfaqëson një ndryshim thelbësor në mënyrën si Europa i sheh kufijtë e saj: më pak letër, më shumë kontroll dhe një kujtesë elektronike që, siç thonë vetë ekspertët, “të sheh vetëm një herë dhe të mban mend për gjithë jetën”.






