Një eklips total hënor do të ngjyrosë Hënën në të kuqe të thellë të martën, në një spektakël qiellor që nuk do të përsëritet deri në fund të vitit 2028.
Fenomeni do të jetë i dukshëm të martën në mëngjes nga Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe pjesa perëndimore e Amerikës së Jugut. Në Australi dhe në pjesën lindore të Azisë, eklipsi do të shihet të martën në mbrëmje. Ndërsa fazat e pjesshme, kur Hëna duket sikur “kafshohet” gradualisht nga hija, do të mund të vëzhgohen nga Azia Qendrore dhe pjesë të mëdha të Amerikës së Jugut. Afrika dhe Evropa nuk do të kenë mundësi ta shohin këtë eklips.
Eklipset diellore dhe hënore ndodhin kur Dielli, Hëna dhe Toka rreshtohen në mënyrë të përkryer. Sipas NASA-s, çdo vit ndodhin mes katër dhe shtatë eklipse. Shpesh ato vijnë në seri, për shkak të pozicionimit të trupave qiellorë në orbitat e tyre.
Gjatë një eklipsi total hënor, Toka vendoset mes Diellit dhe Hënës së plotë, duke hedhur hijen e saj mbi Hënë. Ngjyra e kuqe – që i jep emrin “Hëna e përgjakur” – krijohet nga drita e Diellit që kalon përmes atmosferës së Tokës dhe përthyhet, duke filtruar valët blu dhe duke lënë të dukshme tonet e kuqe-portokalli.
Spektakli zgjat disa orë, ndërsa faza kur Hëna është plotësisht e mbuluar nga hija e Tokës – zgjat rreth një orë.
Ndryshe nga një eklips diellor, për ta vëzhguar këtë fenomen nuk nevojiten pajisje speciale. Mjafton një qiell i kthjellët dhe pa re. Astronomët sugjerojnë që njerëzit të kontrollojnë aplikacionet e motit ose kalendarët astronomikë online për të mësuar orarin e saktë sipas zonës ku ndodhen.
Nuk është e nevojshme të qëndrohet jashtë gjatë gjithë kohës: mjafton të dilni disa herë për të parë se si hija e Tokës përparon gradualisht mbi Hënë, deri sa ajo të marrë ngjyrën e kuqërremtë karakteristike.
Një tjetër eklips hënor, këtë herë i pjesshëm, pritet në muajin gusht dhe do të jetë i dukshëm në Amerikë, Evropë, Afrikë dhe Azinë Perëndimore.






