Ermal Meta po përgatitet për një rikthim të rëndësishëm në skenën e Sanremos dhe për publikimin e albumit të tij të gjashtë, “Funzioni Vitali”, por një nga këngët më të komentuara të projektit të ri është ajo që i kushtohet fëmijëve viktima të luftës. Artisti sjell një baladë të ndjerë, një ninullë që, edhe pse nuk e përmend drejtpërdrejt Gazën, frymëzohet nga tragjeditë humanitare që po ndodhin në Lindjen e Mesme.
Në qendër të këngës është figura simbolike e një vajze të vogël – pa emër dhe pa fytyrë – një fëmijë që deri pak orë më parë shtrëngonte fort kukullën e saj. Me një sfond muzikor me ndikime orientale, krijuar së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Dario Dardust, Meta sjell një rrëfim që flet për pafajësinë e humbur dhe dhimbjen që nuk mund të zbutet.
“E di që mund të kisha shkruar për shumë gjëra të tjera. Shumë miq më këshilluan të shkruaja për vajzën time. Por ka raste kur është e rëndësishme të flasësh për fëmijët e të tjerëve – ose më saktë, për fëmijët e të gjithëve,” u shpreh ai në një intervistë. Sipas Metës, ajo që po ndodh në Palestinë është “jashtëzakonisht serioze, një emergjencë dhe një katastrofë humanitare”.
Këngëtari thekson se nuk dëshiron ta trajtojë temën nga një këndvështrim politik, por thjesht njerëzor: “Nuk dua të distancohem nga ajo që ndiej dhe, mbi të gjitha, nuk dua ta sheqeros apo ta maskoj.”
Ndjenja e dhimbjes përshkon edhe vargjet e këngës: “U përpoqa ta shkul zemrën time / sepse pa të nuk vdes / por ndërkohë kisha frikë se nuk do të ndieja më asgjë.”
Të qenit baba ka ndikuar ndjeshëm në ndjeshmërinë e tij artistike. Meta është prind i Fortunës së vogël, e lindur në vitin 2024, dhe ka adoptuar gjithashtu dy vajza që i njohu në një jetimore në Shqipëri. “Aftësia për empati rritet. Kur zemra zgjerohet dhe ‘lëkura hollohet’, gjithçka e përjeton më thellë,” tha ai.
Edhe pse kënga lidhet me realitetin e Gazës, artisti nënvizon se mesazhi i saj është universal: “Mund të jetë çdo vajzë e vogël e pafajshme, sepse fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin për marrëzinë e të rriturve.” Ai shton me tone të forta: “Le të mos bëjmë gabimin ta quajmë atë që po ndodh në Gaza ‘luftë’, sepse nuk është luftë – është një masakër.”
Duke folur për qëndrimin e tij ndaj skenave ndërkombëtare si Eurovisioni, Meta kujtoi edhe historinë e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste, kur protesta e hapur ishte e pamundur. “Ka mënyra të ndryshme për të protestuar: heshtja, bojkotimi ose të jesh aty dhe të thuash fjalën tënde. Me mesazhin që ka ‘Stella Stellina’, do të ishte gabim të mos shkoja,” u shpreh ai.
Albumi i ri “Funzioni Vitali”, që publikohet më 27 shkurt, premton një udhëtim emocional mes kujtimeve, përditshmërisë dhe kërkimit muzikor, me tekste të shkurtra por intensive që, sipas artistit, i kanë kërkuar shumë energji shpirtërore.
Sa i përket Sanremos, ku ka fituar çmime dhe ka arritur disa herë në podium, Meta pranon se emocionet mbeten po aq të forta: “Mezi pres të rikthehem. Hera e fundit ishte në 2021, me një sallë bosh për shkak të pandemisë. Prania e publikut ndryshon gjithçka.”
Pas festivalit, ai do të nisë turneun “Live 2026 – Club”, që starton më 29 prill në Perugia dhe do të vijojë në disa qytete italiane.
Me projektin e tij të ri, Ermal Meta duket se zgjedh të përdorë muzikën si një formë ndërgjegjësimi, duke i dhënë zë fëmijëve që, siç thotë vetë ai, nuk janë “të askujt”, por i përkasin gjithë botës.
(Burimi: ANSA)






