Një nga debatet më të forta ligjore dhe politike në Itali po zhvillohet këto ditë në Gjykatёn e Kasacionit, ku po shqyrtohen kufizimet e reja për shtetësinë me prejardhje – një vendim që ka prekur miliona persona me rrënjë italiane në mbarë botën.
Në qendër të çështjes është një ndryshim i nisur në vitin 2024 dhe i formalizuar me ligjin e marsit 2025, i cili kufizon njohjen e shtetësisë vetëm deri në dy breza dhe, në praktikë, mbyll derën për shumë pasardhës italianësh jashtë vendit. Ky ndryshim ka shkaktuar reagime të forta në diasporë, sidomos në SHBA dhe Amerikën Latine, ku miliona persona kanë ndërtuar jetën mbi pritjen për të përfituar shtetësinë italiane.
Gjykata e Kasacionit po shqyrton aktualisht tre raste konkrete, përfshirë dy familje amerikane dhe një shtetas venezuelian, të cilëve u është refuzuar shtetësia. Sipas rregullit tё ri, nëse një prind italian natyralizohet në një shtet tjetër kur fëmija është ende i mitur, linja e trashëgimisë ndërpritet – një interpretim që ka krijuar situata absurde, madje edhe brenda të njëjtës familje.
Pikërisht ky ёshtё themeli i përplasjes ligjore: a është shtetësia një e drejtë që fitohet në lindje dhe nuk mund të hiqet pa vullnet, apo një privilegj që mund të kufizohet nga shteti? Sipas Prokurorit të Përgjithshëm pranë gjykatës, interpretimi duhet të jetë në favor të individëve, duke theksuar se shtetësia nuk mund të humbet në mënyrë të pavullnetshme.
Nëse gjykata merr këtë linjë, mund të hapet rruga për rrëzimin gradual të ligjit të vitit 2025, i cili ka përjashtuar një numër të madh aplikantësh dhe ka detyruar shumë prej tyre të ndryshojnë planet e jetës. Për disa, kjo nuk është thjesht një çështje juridike, por një goditje personale: familje që janë zhvendosur në Itali apo kanë investuar në këtë proces, sot ndodhen të bllokuara nga një ndryshim i papritur rregullash.
Ndërkohë, çështja po merr përmasa edhe më të mëdha për shkak të një kontradikte të fortë demografike. Sipas të dhënave të ISTAT, Italia po përballet me një rënie historike të lindshmërisë, me një mesatare prej vetëm 1.14 fëmijësh për grua dhe me popullsinë më të plakur në Bashkimin Europian. Në këtë realitet, vendi duket se po mbyll derën pikërisht për ata që mund të ndryshojnё kёtё situatё – diasporën.
Vendimi i pritshëm i gjykatës mund të ketë pasoja të gjera, jo vetëm për aplikantët aktualë, por për vetë mënyrën se si Italia e koncepton shtetësinë dhe lidhjen me emigracionin e saj historik.
Për momentin, mijëra familje në mbarë botën janë në pritje. Siç e përshkruan një prej tyre: “Po mbajmë frymën”. Dhe me të drejtë – sepse ky vendim nuk do të përcaktojë vetëm statusin ligjor të tyre, por edhe nëse rrënjët kanë ende peshë në një Europë që ndryshon rregullat e lojës.
(Burimi: CNN)





