Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morina, ka shënuar një sukses të madh në Sundance Film Festival, duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë. Prodhimi është vlerësuar për forcën e rrëfimit dhe regjinë e ndjeshme, ndërsa juria theksoi se filmi ofron “një portretizim të fuqishëm dhe unik të dinjitetit njerëzor në Kosovën bashkëkohore, me jehonë universale”.
Ky triumf konsiderohet një rikthim i rëndësishëm i kinematografisë së Kosovës në festivalin prestigjioz amerikan, një rrugëtim që kishte nisur që në vitin 2012.
Bashkëprodhimi mes Kosovës, Gjermanisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës rrëfen historinë e një familjeje kosovare që detyrohet të largohet nga fshati drejt kryeqytetit, në kërkim të një vendi në një shoqëri gjithnjë e më kapitaliste. Skenari është shkruar nga Morina në bashkëpunim me Doruntina Basha, ndërsa regjisori ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të premten në Utah, SHBA.
Në arsyetimin e saj, juria vlerësoi aftësinë e regjisorit për të tërhequr publikun në sfidat e përditshme të një familjeje që përpiqet të nisë jetën nga e para, si dhe empatinë e thellë ndaj personazheve në një moment vendimtar të ekzistencës së tyre.
Aktori kryesor Astrit Kabashi, i cili u gjend në Kosovë kur u dha lajmi për çmimin, tha se e kishte ndier suksesin që në premierë. “Jam shumë i emocionuar. Për të thënë të drejtën, e kisha parandier se do të fitonim, sidomos pas reagimeve që morëm në festival,” është shprehur ai. Sipas Kabashit, publiku amerikan e priti filmin jashtëzakonisht mirë, duke sfiduar edhe paragjykimin se kinemaja evropiane mund të perceptohet si më e ngadaltë.
Në film, Kabashi interpreton Shabanin, një kryefamiljar tradicional dhe krenar, i cili detyrohet të përdorë kursimet e nënës për të mbajtur familjen. Personazhi përballet me një dilemë të fortë mes krenarisë dhe mbijetesës, ndërsa dinjiteti i tij vihet vazhdimisht në provë. Rrëfimi është cilësuar si një portret i ndërtuar me kujdes i njerëzve punëtorë që përpiqen për një jetë dinjitoze mes presioneve dhe pasigurisë së përditshme.
Filmi, me një kohëzgjatje prej 130 minutash, u vlerësua edhe nga një juri e përbërë nga skenaristja argjentinase Ana Katz, regjisorja koreano-amerikane Yong Kim dhe aktorja kanadeze Tatiana Maslany.
Bashkëproducenti Eshref Durmishi kishte konfirmuar më herët reagimin entuziast të publikut, duke treguar se pas premierës pati ovacione për rreth pesë minuta. “Atmosfera ishte fantastike, salla plot dhe shikuesit qëndruan edhe pas shfaqjes për të bërë pyetje. Disa prej tyre u prekën thellë nga filmi,” tha ai.
Për Kabashin, ky sukses shkon përtej ekipit të realizimit. “Ky çmim nuk është i vlefshëm vetëm për ne, por për të gjithë komunitetin tonë kinematografik,” theksoi aktori.

(Burimi: Koha Ditore)






