Shtatë vjet pasi skandali që tronditi botën e kinemasë ndikoi rëndë në karrierën e tij, aktori amerikan Kevin Spacey ka treguar se aktualisht është i pastrehë dhe jeton nëpër hotele. Në një intervistë për gazetën britanike The Telegraph, fituesi i dyfishtë i çmimit “Oscar” deklaroi se situata financiare e tij është përkeqësuar ndjeshëm.
“Po jetoj në hotele, po jetoj në Airbnb, po shkoj aty ku është puna,” tha aktori. “Praktikisht nuk kam nje shtëpi, dhe kjo është ajo që po përpiqem t’ju shpjegoj.” Aktori i famshëm shtoi “edhe pse nuk ka arritur në pikën e falimentimit gjendja financiare nuk është aspak e mirë”.
Kevin Spacey tashmë 66-vjeç, ka mohuar vazhdimisht akuzat që iu bënë dhe deklaroi se “kostot gjatë këtyre shtatë viteve të fundit kanë qenë astronomike. Në një mënyrë të çuditshme, ndiej se jam kthyer aty ku isha kur fillova për herë të parë: ndjek punën ku të jetë”.
Aktori u akuzua nga mbi 30 burra, përfshirë Anthony Rapp aktor i “Star Trek: Discovery”, për “sjellje të papërshtatshme” dhe “abuzim seksual”. Akuzat që u bënë publike në vitin 2017, në kulmin e lëvizjes #MeToo. Pas publikimit të akuzave, Netflix e largoi menjëherë nga seriali i suksesshëm “House of Cards” ku partnere ishte Robin Wright në rolin kryesor , serial qe përfundoi në vitin 2018.
Pas një kalvari gjyqësor, në korrik 2023, Spacey u shpall i pafajshëm nga gjykata në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me akuzat e katër burrave. Ai gjithashtu doli i pafajshëm edhe ndaj një padie të vitit 2022 në New York.
Pas publikimit të dokumentarit të vitit 2024 “Spacey Unmasked”, ai mohoi sërish akuzat, duke thënë se nuk mund të pranonte të sulmohej pa asnjë bazë dhe pa patur mundësi për t’u mbrojtur.
“Marr përgjegjësi të plotë për sjelljen dhe veprimet e mia në të kaluarën, por nuk mund dhe nuk do të marr asnjë përgjegjësi për gjëra të shpikura ose të ekzagjeruara,” deklaroi aktori për ish-gazetarin britanik Dan Wootton në maj 2024.
“Nuk i kam thënë apo kërkuar kurrë dikujt se, nëse më jep favore seksuale, do ta ndihmoj me karrierën, kurrë nuk ka ndodhur kjo gjë.”- përfundoi Spacey.
Megjithatë, aktori i famshëm i “American Beauty” dhe “House of Cards”, në maj të këtij viti, u nderua me një çmim nderi për arritjet e tij artistike, në Kanë të Francës. Në fjalën e tij falenderuese Spacey i përshkroi vitet e fundit si “jashtëzakonisht sfiduese”.






