Me 34 mandate apo vota deputetësh në Kuvend, një bidon uji (Gazmend Bardhi) dhe një bori makine (Klevis Balliu), opozita e Sali Berishës nuk bëri dot asgjë përballë 85 votave, deputetë të rreshtuar nën urdhrat e Edi Ramës.
Reforma territoriale kaloi, ashtu si ishte planifikuar, përmes votimit të një ligji që kërkonte 3/5 e deputetëve, pra 84 nga 140.
Seanca e djeshme në Kuvend, e cila kaloi orën e mesnatës, u komandua plotësisht nga imponimi i numrit të kartonave. Që në fillim u ndryshua rendi i ditës, lidhur me kërkesa për interpelancë me disa ministra.
Diskutimet bajate nga të dyja anët e sallës pro dhe kundër reformës së pushtetit lokal zgjatën gjithë ditën. Më bajati ishte fjalimi i Elisa Spiropalit, që për pak i ngjalli edhe “shpresat” Sali Berishës për një votë kundër, kur ajo shkoi deri te shprehja opozitare “Reforma Territoriale nuk është një reformë”.
Por kostumi patetik me ngjyrë të kuqe dhe orvatja për të dalë nga “studio” e Edi Ramës me fjalë që të krijonin përshtypje se ishte më në fund një zë kundër, rezultuan një bllof i madh. Elisa Spiropali, vetëm një rresht pas Belinda Ballukut shtypi dy herë votën PRO Edi Ramës dhe kundër 15 bashkive që u fikën nga harta administrative me votën e saj Nr. 84.

Erion Braçe një tjetër zë “opozitar” në radhët e mazhorancës, pasi bërtiti e ulëriti disa muaj kundër reformës territoriale dhe e ngriti “stekën” e votës së tij shumë lart, po si Spiropali e ca më keq: si një dashnore e penduar që u kontaktua nga ish i dashuri (Edi Rama) në dhomat e Kuvendit, ktheu “votën”. Edhe ai votoi kundër “dëshirës” PRO Edi Ramës.

Vota e 84 apo e 85 u nda nga dy “dashnorët” e fjalës së lirë, Elisa Spiropali dhe Erion Braçe.

Gjithçka tjetër që u zhvillua pas mesnate në Kuvendin e Shqipërisë ishte një teatër mediokër, ku opozita me Gazmend Bardhin me një bidon uji lagte Edi Ramën dhe Belinda Ballukun që erdhi në sekondat e votimit në Kuvend, ndërsa Klevis Balliu zhurmonte me një bori makine në emër të pakënaqësisë së saj.
Projekti i reformës territoriale u konkludua me votimin e ligjit që shkriu 61 bashki në vend dhe la vetëm 46, duke krijuar një decentralizim dhe kompetenca krejt të tjera për pushtetin vendor në të ardhmen.
Reforma u projektua nga Partia Socialiste, u prezantua dhe votua prej saj në mëngjesin e sotëm, por që në fillim të herës ajo u “bekua” nga Partia Demokratike dhe u shoqërua prej saj gjithë kohën, përveç çastit të votimit. Dyshja Arbjan Mazniku i PS me Luҫiano Boçin e PD, janë prova e gjallë e këtij bashkëpunimi që përfundoi me një votim, votim që për shumë qytetarë të bashkive të fikura do të thotë rrënim, shpopullim.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






