Një varr i dytë masiv i foshnjave është zbuluar në territorin e ish-shtëpisë famëkeqe “Nёna dhe fёmija” në Tuam, në perëndim të Irlandës — një gjetje që ekspertët e kriminalistikёs e cilësuan si “jashtëzakonisht të rëndësishme” për hetimin që po vijon.
Thuajse 800 foshnja dhe fëmijë humbën jetën në këtë institucion, i drejtuar nga motrat “Bon Secours” për 36 vite. Besohet se trupat e tyre janë hedhur në një varr masiv.
Skandali u zbulua për herë të parë në vitin 2014 nga historiania lokale Catherine Corless, e cila zbuloi se 796 foshnja kishin vdekur pa asnjë regjistër varrimi dhe se mbetjet e tyre ishin hedhur në një depozitë të vjetër ujërash të zeza.
Këtë verë nisën zyrtarisht gërmimet e drejtuara nga struktura e pavarur ODAIT (Office of the Director of Authorised Intervention in Tuam). Në njoftimin më të fundit, ODAIT tha se ekspertët kanë gjetur prova të qarta që konfirmojnë ekzistencën e një vendvarrimi të dytë.
“Para gërmimeve, nuk kishte asnjë shenjë në sipërfaqe që të tregonte se mund të kishte një vendvarrim në atë zonë”, thuhet në deklaratë. Drejtori Daniel MacSweeney deklaroi se zona e re e varrosjes ndodhet rreth 50–100 metra larg depozitës së përdorur më parë.
Që prej fillimit të gërmimeve në korrik, janë gjetur 11 trupa foshnjash, përfshirë katër të zbuluar muajin e kaluar. Të gjitha mbetjet janë vendosur në arkivole dhe janë dërguar për analizë forensike.
160 persona janë paraqitur për të dhënë kampionё tё ADN-së, me shpresën që të identifikohen viktimat. ODAIT ka bërë thirrje që edhe familjarë të tjerë të mundshëm të paraqiten.
Institucioni i Tuam ishte një nga dhjetëra “shtëpi” ku për dekada me radhë në shekullin XX dërgoheshin vajza shtatzëna dhe gra të pamartuara për të lindur në fshehtësi. Shumë prej tyre ndaheshin me forcë nga fëmijët e tyre; disa fëmijë adoptoheshin brenda apo jashtë Irlandës, ndërsa qindra të tjerë vdisnin dhe trupat hidheshin pa dinjitet — ndёrsa nënat e tyre nuk e mësonin kurrë të vërtetën.
Hetimi shtetëror i vitit 2015 gjeti “sasi të konsiderueshme” mbetjesh njerëzore në zonën e Tuamit dhe evidentoi një “nivel të tmerrshëm vdekshmërie foshnjash”, duke theksuar se autoritetet, si lokale ashtu edhe kombëtare, e dinin situatën por nuk ndërhynë.
Përpara vitit 1960, këto institucione “nuk u jepnin jetë fëmijëve ‘të paligjshëm’; në fakt, duket se ua zvogëlonin ndjeshëm shanset për të mbijetuar”, shtonte raporti. Pas hetimit, qeveria irlandeze kërkoi falje zyrtare në vitin 2021 dhe njoftoi një skemë kompensimi, ndërsa edhe motrat “Bon Secours” shprehën pendesë publike.
Teksa gërmimet në Tuam pritet të zgjasin rreth dy vite, aktivistët po u bëjnë thirrje autoriteteve që të hetojnë plotësisht edhe institucionet e tjera, duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e epokës së shtёpive “Nёna dhe fёmija”.
(Pёrshtatur nga CNN)






