Një studim i ri nga Universiteti i Bordosë në Francë sugjeron se rreziku për t’u prekur nga demenca mund të lidhet jo vetëm me ushqimet që konsumojmë, por edhe me mënyrën se si i kombinojmë ato në dietën tonë të përditshme.
Demenca është një gjendje që shoqërohet me rënie të funksioneve njohëse – si të menduarit, kujtesa dhe arsyetimi – deri në pikën që ndërhyn në jetën e përditshme. Përveç vështirësive mendore, ajo mund të shkaktojë edhe ndryshime emocionale dhe në personalitet.
Ndryshe nga studimet tradicionale që analizojnë ushqime të veçanta ose grupe ushqimore, ky kërkim u fokusua te “rrjetet ushqimore”, duke studiuar se cilat produkte konsumohen shpesh së bashku dhe si ndikojnë këto kombinime në shëndetin e trurit. Qëllimi ishte të kuptohej nëse mënyra e ndërthurjes së ushqimeve mund të luajë rol në zhvillimin e sëmundjes.
Rezultatet treguan se personat dieta e të cilëve përbëhej kryesisht nga mishra të përpunuar, ushqime me niseshte si patatet dhe produkte të ëmbla apo snack-e – përfshirë biskota dhe ëmbëlsira – kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë në vitet pasuese.
Në të kundërt, pjesëmarrësit që konsumonin një gamë më të gjerë ushqimesh të shëndetshme, si perime me gjethe jeshile, fruta pylli, arra, drithëra të plota dhe peshk, rezultuan me rrezik më të ulët.
Studimi përfshiu 627 persona me moshë mesatare 78 vjeç, prej të cilëve 209 ishin diagnostikuar me demencë dhe 418 jo. Të gjithë kishin plotësuar më parë një pyetësor të detajuar mbi zakonet ushqimore gjatë një viti, duke përfshirë llojin e ushqimeve dhe shpeshtësinë e konsumit.
Analiza tregoi se mishrat e përpunuar ishin elementi qendror në dietat e personave me demencë. Ata priren t’i kombinonin këto produkte me ushqime me niseshte, alkool dhe ëmbëlsira. Ndërsa personat pa demencë kishin dieta më të larmishme, me kombinime më të vogla ushqimore që përfshinin fruta, perime, produkte deti, mish pule dhe proteina të tjera.
Sipas studiuesve, këto gjetje nxjerrin në pah një marrëdhënie komplekse mes mënyrës së të ushqyerit dhe rrezikut për sëmundje neurodegjenerative. Një dietë e balancuar dhe e larmishme duket se lidhet me një mbrojtje më të madhe ndaj rënies njohëse.
Studimi thekson gjithashtu rëndësinë e analizimit të modeleve të të ushqyerit në tërësi, pasi ndikimi në shëndet nuk varet vetëm nga një produkt i vetëm, por nga kombinimi i tyre në pjatë.
(Burimi: Knowridge)






