Një ditë pas zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë, Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta mbyllë publikisht çështjen me një status në rrjetin social X. Një mesazh që në dukje sjell qetësi për familjet e dëmtuara, por që në thelb vendos një narrativë të qartë: dëmi do të riparohet dhe historia konsiderohet e mbyllur.
Statusi i plotë:
“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara❤️”
Në këtë komunikim, përgjegjësia zhvendoset nga analiza e shkaqeve drejt zgjidhjes së menjëhershme: rindërtimi nga ndërtuesi. Një veprim që paraqitet si akt përgjegjësie, por që në të njëjtën kohë shërben si një vijë ndarëse mes pasojës dhe shkakut. Çështja e materialeve, standardeve të ndërtimit apo kontrollit institucional nuk zë vend në këtë narrativë. Ajo mbetet në sfond, e zbehur nga premtimi për rikthimin e godinës.
Në vend të një procesi të qartë përgjegjësie, vendoset një zgjidhje praktike që mbyll ciklin publik të ngjarjes. Ndërtuesi merr përsipër të rindërtojë dhe, në këtë mënyrë, figura e tij zhvendoset nga një subjekt që duhet të japë llogari, në një aktor që ofron zgjidhje. Kjo krijon një balancë të re, ku riparimi i dëmit zë vendin e përgjegjësisë së mundshme ligjore.
Paralelisht, mesazhi i kryeministrit e çon vëmendjen edhe në një drejtim tjetër: sigurimin e banesave. Ngjarja paraqitet si shembull për të theksuar nevojën që qytetarët të jenë të siguruar ndaj fatkeqësive. Kështu, një krizë konkrete shndërrohet në një argument më të gjerë politik dhe ekonomik, qё sё shpejti do pёrkthehet nё njё detyrim shtesё pёr qytetarёt.







