Moti i rënduar i orëve të fundit ka sjellë probleme në qyetet dhe disa zona rurale të Qarkut Lezhë, ku reshjet e forta dhe shkarkesat elektrike kanë shkaktuar defekte të përkohshme në furnizimin me energji. Sipas të dhënave nga emergjencat civile, disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimeve në linjat e tensionit.
Në Mirditë, rrjedhja e madhe e ujërave ka transportuar inerte, duke dëmtuar disa segmente të rrugëve rurale, megjithatë qarkullimi nuk është ndërprerë. Në rrugën Lezhë–Shëngjin, një pemë e rrëzuar si pasojë e erës ka rënë mbi asfalt, duke dëmtuar njëkohësisht edhe linjën elektrike pranë saj.
Probleme janë raportuar edhe brenda qytetit të Lezhës. Në lagjen “11 Janari”, reshjet kanë sjellë sërish grumbullim të ujërave në sipërfaqe, një fenomen i përsëritur sa herë ka mot të keq.
Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për riparimin e defekteve në rrjet, ndërsa bashkitë kanë ndërhyrë me mjete të pastrimit për të larguar inertët dhe për të normalizuar qarkullimin.
Në digat e Fanit dhe Ulzës prurjet janë rritur, por sipas autoriteteve situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për hapjen e portave.






